Gazeta Si – Shtyhet për në 15 shtator në orën 10:30 seanca për dosjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme. Në seancën e dytë gjyqësore të mbajtur këtë të hënë, avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kërkuan përjashtimin e treshes gjykuese me pretendimin se nuk janë të pavarur, pasi kontrollohen nga SPAK.
“Kërkojmë të gjykohemi nga një gjykatë të paanshme. Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kontrollohen nga SPAK, ata janë në moritorim të vazhdueshëm, gjë që nuk përmbush kushtet e pavarësisë së kësaj gjykate. Kjo mbikëqyrje e gjykatës nga një palë në proces, shkel parimin e një gjykate të pavarur”,- tha avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj.
Mbi këtë argument, Gjokutaj deklaroi se kërkon gjykim nga një gjykatë tjetër, jo nga GJKKO.
“Kërkojmë përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme nga kjo çështje, pasi nuk përmbushim kriterin e paanshmërisë dhe dërgimin e çështjes për gjykim te gjyqtarët që nuk kontrollohen nga SPAK e BKH. Të gjykohet nga gjyqtarë jashtë kësaj gjykate”, u shpreh Gjokutaj.
Kjo kërkesë u paraqit edhe nga avokati i Malltezit, ndërsa prokurori Arben Kraja pati këtë qëndrim: “Nuk dua të shprehem për kërkesën, por Gjykata Kushtetuese i ka dhënë përgjigje këtij pretendimi”.
Kështu, seanca u shty më 15 shtator. Berisha nuk ishte i pranishëm, por u paraqit në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ku sulmoi dhe akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani dhe gjyqtaren Irena Gjoka.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berisha dyshohet se ka favorizuar dhëndrin përmes vendimeve qeveritare në kohën kur ishte kryeministër. Malltezi akuzohet për përfitime të paligjshme në vlerën e 5.4 milionë eurove. Berisha ndodhet në “detyrim paraqitje”, ashti si dhe dhëndri i tij, Malltezi.
Ndërsan dërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.
Në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



