Gazeta Si – Dy persona janë arrestuar pas kontrolleve të ushtruara mëngjesin e kësaj të hëne në Elbasan përsa i takon procedimit penal të nisur për “shpërdorim detyre” lidhur me zjarrin që përfshiu landfillin e inceneratorit vitin e kaluar dhe që u përsërit edhe këtë vit.
Sipas burimeve, në pranga ka rënë Denis Hasalla, vëllai i deputetit të PS, Saimir Hasalla. Mësohet se gjatë kontrolleve për hetimet që po kryheshin për djegien e mbetjeve, Hasallës i janë gjetur dhe sekuestruar 30 fishekë luftarakë që i mbante në banesë.
Po ashtu në pranga ka rënë edhe Bledar Çullhaj, 36 vjeç të cilit iu gjet armë e ftohtë në banesë. Sipas burimeve, Çullhaj aktualisht mban pozicionin e drejtorit të kabinetit në Bashkinë Peqin
“Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve: -B. Ç., 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë; -D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak“, thuhet në njoftimin e policisë.
Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar 14 urdhra-kontrolli në Elbasan, lidhur me një hetim të nisur që në vitin 2024 për zjarrin te mbetjet.
Fusha e mbetjeve në Elbasan u përfshi nga zjarri edhe këtë vit, për ditë me radhë, duke çliruar sasi të mëdha tymi toksik. Këto flakë kanë shkaktuar dëme të mëdha mjedisore.
Banorët e Elbasanit, përballen shpesh me cilësi shumë të keqe të ajrit, që pason dhe në sëmundje, për shkak të Metalurgjikut, por dhe djegies së mbetjeve që është kthyer në fenomen të përsëritur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



