Drejtësia

Gledis Nano fiton gjyqin me qeverinë, 100 mijë euro dëmshpërblim për shkarkimin

Gazeta Si – Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar gjyqin me qeverinë pas shkarkimit të tij në vitin 2022.

Mësohet se Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke e cilësuar si të paligjshëm largimin e tij nga detyra.

Vendimi është tashmë përfundimtar dhe detyron shtetin t’i paguajë Nanos rreth 100 mijë euro, ekuivalenti i 60 pagave mujore, aq sa parashikon mandati ligjor 5-vjeçar që iu ndërpre në mënyrë të parakohshme.

Nano u shkarkua më 31 gusht 2022, me pretendimin se nuk kishte përmbushur objektivat.

Shkarkimin e tij nga detyra e komunikoi ministri i Brendshëm në atë kohë, Bledi Çuçi pas mbledhjes se qeverisë.

Nano ishte i pari Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gjatë qeverisjes së socialistëve që shkarkohej me atë motivacion.

Në krye të Policisë së Shtetit (për vetëm 10 muaj), Nano erdhi pas disa vitesh në drejtimin e njësisë Anti-Terror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë