Rend dhe Ligj

Dy të arrestuarit mohojnë përfshirjen në vrasjen e Renis Dobrës. Fation Bushgjokaj pranon lidhjet me drogën

Gazeta Si – Fation Bushgjokaj dhe Petrit Çakrri kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u mbyt me litar dhe trupi iu hodh në liqenin e Shkopetit në Mat.

Gjatë marrjes në pyetje në polici, Bushgjokaj ka pranuar lidhjet e tij me 23-vjeçarin në trafikun e paligjshëm të drogës, por mohon përfshirjen në vrasje, duke pranuar vetëm konfliktet mes tyre.

Nga ana tjetër, Çakrri ka pranuar se ishte në zonën e ngjarjes, por mohon njohjen personale me viktimën dhe përfshirjen në ngjarje.

Ai ka deklaruar se njeh vetëm Kristi Bushgjokajn, i cili është në kërkim nga policia dhe se është takuar me të në burg.

Ka rrëfyer se pasi i kishte kërkuar për të gjetur një sasi droge nëpër fshatra, kishte shkuar atje. Rrugës ka dëshmuar 55-vjeçari se janë ndarë në dy makina, duke treguar edhe dinamikën e lëvizjes, e cila përputhet me pamjet e kamerave që ka vëzhguar policia.

Megjithatë, Çakrri mohon të jetë përfshirë në ngjarje. “Nuk e di çfarë ka ndodhur me Dobrën”, mësohet të ketë thënë ai.

Në një moment, sipas Çakrrit vëllezërit hipën në një tjetër makinë dhe ndryshuan rrugë dhe i thanë që të ikte. Çakrri thotë se për fatin e 23-vjeçarit e mësoi vetëm nga mediat.

Një ditë më parë, Policia e Dibrës zbardhi ngjarjen duke arrestuar dy persona, Fation Bushgjokën dhe Petrit Çakrrin.

Ndërsa në kërkim shpalli dy vëllezërit e Fationit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokajn. Sipas Policisë së Dibrës, motiv i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani.

Renis Dobra 23 vjeç u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti pa rënë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë