Nga Gazeta “SI”- Në fundjavë, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” hap dyert për ekspozitën më të re: “Pazari i humbur i Shkodrës: Ringjallja e një kujtese”. Një udhëtim në kohë që rikthen në vëmendje një nga hapësirat më të gjalla të qytetit dikur, pazarin e famshëm të Shkodrës.
Për herë të parë, publiku shqiptar do të mund të shohë nga afër koleksionin e tregtarit Palokë Laca, një figurë e njohur e jetës ekonomike të qytetit. Artefaktet e tij, që prej vitesh ruhen në arkivën e Muzeut të Etnografisë në Budapest, ekspozohen tashmë në vendlindjen e tyre.
“Palok Laca është marrë me tregti, thjesht i ka trashëguar këto. Kishte kontakte me familje të nivelit të lartë. Ka një hollësi të madhe të koleksionimit sepse janë shumë të bukura”, thotë një nga kuratorët, duke hedhur dritë mbi rrënjët e këtij thesari të çmuar që dëshmon për një shije të rafinuar.
Ekspozita synon të rindërtojë përmes imazhit dhe sendit jetën shumëdimensionale të pazarit shkodran, një nyje ku ndërthureshin kultura, zeje, tregti dhe identitet vendor.

Një hapësirë të veçantë zë gjithashtu edhe puna e dizajnerit shkodran Jozef Martini, i cili sjell një interpretim bashkëkohor të motiveve tradicionale përmes tekstileve të punuara në jacquard. Martini, i njohur ndërkombëtarisht për bashkëpunimet me emra të mëdhenj të modës si Fendi dhe Versace, është një prej krijuesve shqiptarë që ka arritur të veshë yje botërorë, një ndër to këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



