Drejtësia

‘Plumbi i Artë’/ Skerdi Tase zbardh atentatet (e dështuara) në Fier, porositësit dhe si shpëtuan shënjestrat

Gazeta Si – Pas disa seancash të dështuara, i penduari i tretë i drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”, Skerdi Tase, ka zbardhur detaje tronditëse për atentate të porositura në Fier, ku sipas tij ishte përfshirë së bashku me emra të njohur të botës së krimit.

Si porositës i dy atentateve në vitin 2018 dhe 2019, akuzohet Albert Pashaj dhe ekzekutimi do të kryhej nga “vartësi” i Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhaj, të cilin e kishte paguar 80 mijë euro.

Në dëshminë e tij, Tase tha se ishte njohur me Henrik Hoxhajn në vitin 2017, përmes një shoku të përbashkët, të cilin e identifikon si Viron Tavanxhi dhe dyshohet të ketë qenë edhe kontakti i porositësit të njërit prej atentateve.

“Henrikun e takova për herë të parë në vitin 2017. Viron Tavanxhi na njohu për të ekzekutuar një person në Fier. Henriku kishte të gjitha të dhënat e shënjestrës dhe një makinë ‘Alfa Romeo’, si dhe një armë automatike”, deklaroi Tasi.

Sipas tij, viktima që synonin ishte Agim Boriçi, një emër i njohur në Fier. Tase tregoi se ditën e atentatit, Hoxhaj e kishte njoftuar me urgjencë: “Henriku më tha se porositësi i kishte kërkuar llogari – ‘Shumë po e zgjasni atë punë’.”

Agim Boriçi

Atentati ndaj Agim Boriçit

Tase rrëfeu tentativën për vrasjen e Agim Boriçit në vitin 2018 në një lokal në Fier. Fillimisht, ai bashkë me Henrik Hoxhën kanë shkuar në spital për ta ekzekutuar Gim Boriçin, por nuk e kanë gjetur.

Më pas ata shkuan drejt shtëpisë, për ta vrarë, ndërsa Gim Boriçi ka qenë duke pirë kafe bashkë me të vëllanë.

Të dy i shpëtuan atentatit, ndërsa Tase ka rrëfyer në GJKKO se teksa po qëllonte me breshëri ndaj tyre, i ngeci kallashi.

Më pas, në rol është futur edhe Henrik Hoxhaj, i cili ka qëlluar me pistoletë derisa i mbaruan plumbat, por vëllezërit Boriçi shpëtuan pa i kapur asnjë fishek.

“Gim Boriçin shkuam ta qëllonim tek spitali, por nuk e gjetëm, ishte larguar, në makinën e punës, ‘Reno Clio’ kishim edhe armët, ishim të pajisur dhe me maska si këto që përdor policia, pastaj shkuam tek shtëpia e tij, e pamë duke pire kafe me vëllain, Henriku tha :’Bëhu gati se qenkan të dy’. Ndaluam para lokalit, fillova të qëlloj, më ngeci kallashi. Henriku gjuajti me një pistoletë deri sa i mbaruan fishekët, ata nuk i kapi asnjë fishek”, tha Tase në GJKKO.

Më pas ai ka rrëfyer si dogjën mjetin, duke pësuar edhe vetë djegie në fytyrë e duar. “Dogjëm makinën pas atentatit diku tek shinat e trenit, u dogja dhe vet pak nga zjarri në fytyrë dhe duar, u larguam pastaj në shtëpi”, tregon Tase.

Fajin për atentatin që nuk u realizua, Henrik Hoxhaj ia la Skerdi Tases. “Kisha hedhur dorezat në një kosh plehrash pas atentatit ndaj Boriçit, edhe ato mu dogjën pak. Henriku më bënte mua fajtor që nuk u bë puna siç duhet. Henriku kishte frikë mos kishim lënë prova, por ‘Reno’, Renato Saliaj, i tha që të rrinim pa merak se s’kishin asgjë”, ka thënë Tase.

Atentati ndaj Hajredin Beharit

Në vijim, Skerdi Tase deklaroi se Hoxhaj kishte marrë përsipër edhe një tjetër atentat, ekzekutimin e Hajredin Beharit, i njohur si tregtar nafte. Shënjestra sipas tij, frekuentonte një lokal përballë shtëpisë dhe kishte një dyqan vajrash për makina.

Ai shtoi se Behari ishte lokalizuar në një bar pranë rrethrrotullimit të parkut në Fier. “Mora armën dhe shkova atje. Kur më pa, ai bërtiti dhe u shtri përdhe. Mendova se e qëllova, por pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit dhe hodha pistoletën në lumin Gjanicë”, rrëfeu Tasi.

Ai konfirmoi gjithashtu se atentati ishte porositur nga Viron Tavanxhi dhe se tentativa ishte realizuar në vitin 2018, edhe pse përgatitjet kishin nisur një vit më herët.

Ai ka treguar se si qëlloi me breshëri për ta vrarë Beharin, ndërsa ky i fundit është futur poshtë një tavoline për t’i shpëtuar plumbave.

Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes dhe armën tha se e kishin hedhur në lumin Gjanica. Por, ndërsa Behari i shpëtoi atentatit, Tase tregon përplasjen me Henrik Hoxhajn, i cili i ka bërtitur se përse nuk u krye vrasja.

“Qëllova një breshëri për të vrarë Aredin Behari, ai u fut poshtë një tavolinë, mendova se e kapën fishekët, pastaj u largova me priste “Riku” 100 metra më larg, un mendova e kam vrarë, kaluam mbi lumin Gjanica aty ku hodhëm dhe armën ‘scorpion’. Debatuam me Henrikun që nuk u krye vrasja, më tha pse e more përsipër kur se bëje dot, pasi Aredini kishte thënë emrin e porositësit në polici. Henrikun e pyeten në polici, dhe me tha qe kishte dale emri i porositësit (i referohet Albert Pashaj)”, ka dëshmuar Tase.

Akuzat

Henrik Hoxhaj, i akuzuar si “ushtar” i Nuredin Dumanit, u arrestua mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022 në Fier, pak pasi Dumani kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.

Së bashku me Dumanin, ai është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur në janarin e vitit 2024 hetimet për dosjen “Plumbi i Artë” dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për 20 të pandehur.

Mes personave që do të gjykohen, janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxhaj, Erion Alibej, Skerdi Tase dhe 16 të pandehur të tjerë.

Ata janë të dyshuar për një seri vrasjesh, atentate të mbetur në tentativë, apo vjedhje me dhunë, ngjarje të cilat u zbardhën pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Ky i fundit akuzohet si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe tre raste të tjera të vjedhjeve me dhunë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë