Drejtësia

GJKKO dënon me 2 vite e 4 muaj burg ish-shefin e Antidrogës, Gazmir Preçi

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka dënuar këtë të hënë me 2 vite e 4 muaj burgim ish-shefin e Antidrogës së Durrësit, Gazmir Preçi, i akuzuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Po ashtu, atij i ndalohet që të kryejë funksione publike për pesë vite.

Fillimisht Preçi ishte dënuar me 3 vite e 6 muaj burg, mirëpo për shkak të gjykimit të shkurtuar, koha e kryerjes së dënimit i është reduktuar me 1 vit.

Vuajtja e dënimit për Preçin, do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.

Ish-shefi i Antidrogës në Durrës, u vu në pranga në gusht të vitit 2024, pasi akuzohet se nëpërmjet presionit për mbylljen e biznesit i ka marrë 10 mijë euro pronarit të një lokali nate. Në këtë lokal ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë