Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim dedikuar performancës së Prokurorisë së Posaçme, drejtues i SPAK, Altin Dumani tha se institucioni i mirëpret rekomandimet, por jo ato që minojnë autonominë.
Gjatë fjalës së tij, Dumani tha se ndërhyrjet që mund të cënojnë pavarësinë, rrezikojnë të zhbalancojnë kufijtë kushtetues midis pushteteve.
Ai u dakordësua me vërejtjen se ekzekutivi, duhet të kufizojë ndikimi në sfera administrative.
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të zhbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve. Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë”, shtoi Dumani.
Gjithashtu, Dumani vuri në dukje boshllëqet ligjore që lidhen me përfundimin e mandatit të Prokurorëve të Posaçëm dhe kërkoi që të gjendet një zgjidhje ligjore për këtë problematikë, duke theksuar se prokurorët e posaçëm meritojnë përgjigje konkrete dhe të qarta.
Ndër të tjera, Dumani u ndal edhe tek llogaridhënia individuale dhe mekanizmat disiplinore, të cilat i quajti çështje kyçe për të cilat do të punohet ngushtësisht.
“Një moment tjetër që trajtohet në dokumentin e qendrës është sa i përket pasqyrimit më të thelluar të dhënave për ndjekjen penale. Raportet tona përmbajnë informacione edhe për mosfillimet e procedimeve si dhe për ankimet e tyre më pas në gjykatë. Në fund dua të ndalem tek llogaridhënia individuale ku përfshihen zbatimi i standardeve të etikës, vlerësimi periodik i performancës dhe mekanizma disiplinore. Ne i konsiderojmë këto si çështje kyçe dhe do të punojmë ngushtësisht që këto mekanizma të jenë të qartë të matshëm dhe në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë”, përfundoi Dumani.
Pjesë e diskutimi ishtin edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato i cili vlerësoi ecurinë, portheksoi se ka ende shumë punë për të bërë në zbatim të reformës, duke shtuar se kërkohet transparencë dhe llogaridhënie. Duke e cilësuar SPAK si një institucion fundamental, Gonzato tha se është me rëndësi gjithashtu që të ndalen presionet ndaj drejtësisë së re.
“Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria dhe kontribut të madh për ecurinë e mrekullueshme drejt BE. Ka ende shumë punë për të bërë në zbatimin e kësaj reforme, dhe inkurajojmë institucionet përkatëse, në veçanti ato të pavarura të drejtësisë.”, u shpreh Gonzato.
Teksa tha se dëshiron ta shikojë ‘gotën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh’, Gonzato u ndal edhe te rekomandimet që kanë bërë përmes raporteve të BE, për të cilat tha se duhet adresim urgjent. Mes tyre, Gonzato përmendi fuqizimin e mekanizmave për konfliktin e interesit apo një lloj ‘vettingu’ edhe për emërimet për anëtarët jo magjistratë të KLP apo KLGJ me ato që janë magjistratë, me kontrolle pasurie dhe historik. “Kemi rekomanduar edhe përafrimin e procedurave të emërimit për anëtarët jo magjistratë të KLP dhe KLGJ me ato anëtarë magjistratë, që dmth të njëjtat kontrolle të pasurisë dhe historikut para emërimit. Ne mendojmë se procedura stabël ligjore që sigurojnë këto mekanizma të barabartë është thelbësore. S’e kemi fjalën për të vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e emërimeve të mëparshme por procedura stabël ligjore që sigurojnë këto mekanizëm të barabartë është thelbësore, Transparenca në emërime duhet të forcohet gjithashtu”, shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



