Drejtësia

‘Partizani’/ GJKKO e liron nga arresti shtëpiak, Malltezi: SPAK më hetoi 5 breza

Nga Gazeta ‘Si’- GJKKO ka liruar nga arresti shtëpiak Jamarbër Malltezin lidhur me aferën Partizani.

Dhëndri i Berishës kishte kërkuar revokim të masës së sigurisë, ndërkohë që gjykata i ka caktuar një garanci pasurore prej 3 milionë lekësh.

Pas lirimit nga GJKKO, Jamarbër Malltezi foli për mediat jashtë ambienteve të SPAK. Malltezi u shpreh se u bë 20 muaj që u privua liria e tij me anë të një procesi politik.

Sipas tij ky proces u ndot rrugës dhe tani erdhi dhe lirimi i tij. Ai pretendon se është hetuar me 5 breza nga shteti.

“Nuk ka një shtet ligjor por një shtet që lufton armiqtë e PS njësoj si në ‘45. Vendimi sot vjen pas 20 muajsh privim lirie. Thjesht me një urdhër politik të Ramës. Në kongresin e PS, Rama urdhëroi SPAK të procedojë Sali Berishën. Të njëjtën gjë kërkoi një diplomate e korruptuar si Yuri Kim. Një proces politik që u ndot gjatë rrugës. Ja ku i keni 16 kërkesa brenda muajit. Më gjeni një rast në Shqipëri që janë hetuar 5 breza, jo një brez.

E kanë filluar që me stërgjyshin tim para 90 vitesh. Unë aty kam gjetur firmën e stërgjyshit tim, që i ka thënë italianëve ‘jo, shkoni në punën tuaj, s’keni punë me pronën tonë’.

Do jem në gjithë seancat dhe do përballemi. Ka kaq shumë gjëra qesharake. Duke filluar që nga pronat. Si u bë shteti pronar. Shteti u bë pronar njëlloj si Edi Rama. I nxori njerëzit me gaz lotsjellës nga Astiri”, tha ai.

Dosja për aferën Partizani, kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit. Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë