Lajme

Dëbimi i ambasadorit, Irani: Sjellje e papranueshme dhe e dënueshme

Edhe pse Shqipëria nuk ka asnjë ambasadë apo zyrë diplomatike në Iran, Republika Islamike ka protestuar ndaj Tiranës zyrtare për dëbimin e ambasadorit dhe një tjetër përfaqësuesi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Bahram Qasemi, i pyetur nga korrespondenti i IRNA-s, ka thënë se masat e Shqipërisë janë të papranueshme.

“Ne ia dorëzuam Shqipërisë protestën tonë, por vendi nuk ka asnjë ambasadë apo zyrë diplomatike në Iran, kështu që nuk mund të thërrisnim ambasadorin apo përfaqësuesin e tyre për të protestuar apo dëbuar me atë. Megjithatë, ne treguam protestën tonë të ashpër përmes kanaleve të tjera”, -tha zëdhënësi Bahram Qasemi.

Ai tha se Irani hapi ambasadën e saj në Tiranë rreth 30 vjet më parë, por për shkak të problemeve të rënda ekonomike Shqipëria nuk mund të hapte një ambasadë në Teheran.

Qasemi shtoi se të enjten, nën presionin e qeverisë së SHBA dhe shërbimit të inteligjencës së Sionistëve dhe me bashkëpunimin me disa grupe terroriste anti-iraniane, Tirana dëboi dy diplomatë iranianë.

Duke e quajtur sjelljen e Tiranës ‘të papranueshme’ dhe ‘të dënueshme’, ai tha se “ky veprim është vazhdimi i skenarëve të mëparshëm për të sabotuar Europën dhe marrëdhëniet e Iranit në epokën aktuale kritike”.

Pak ditë më parë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë tha të mërkurën se kishte dëbuar dy diplomatë iranianë të dyshuar për “përfshirje në aktivitete që dëmtojnë sigurinë e vendit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë