Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot pasdite një inspektim edhe në godinat e Qytet Studentit. Ai u shpreh se aktualisht ka filluar puna në 9 konvikte në Qytetin Studenti, ndërsa tha se ambicia e qeverisë është që të gjithë konviktet e Shqipërisë të kalojnë në një stad tjetër.
“Në Qytetin Studenti, ku edhe aty është ngritur kantieri i parë i konvikteve, falë një projekti me Agjencinë turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe me fonde të buxhetit të shtetit shumë shpejt do të krijohen kushtet optimale akomoduese për studentët.
Atyre që e kanë shkruar pikën 1 të 8 kërkesave të studentëve, u them se plani ynë për përmirësimin e kushteve në konvikte, ka nisur të zbatohet kohë më parë. Por, nga ana tjetër kjo pikë e artikuluar së fundmi si një kërkesë e studentëve, është një shtysë e nevojshme për të ecur më shpejt”, shkruan kryeministri në Facebook.
Rama tha se synohet që deri në fund të mandatit qeverisës, Qyteti Studenti por edhe të gjitha konviktet në vend, të jenë transformuar dhe të ofrojnë kushte dhe standarde optimale për studentët.
Por deputeti demokrat Tritan Shehu, ka reaguar pas videos së shpërndarë nga kryeministri Rama, ku kreu i qeverisë shfaqet në Qytetin Stundeti.
Në “Facebook”, deputeti demokrat shkruan: “Krejt bosh ky “qytet” simbol këto ditë, vetëm Kryeministri e shoqëruesit e tij. Siç duket ka frikë ta pësojë aty si Adil Çarcani më 1990-ën.
Mbasi mori në universite të ndryshme mesazhe të ngjashme me ato që morën Muho Asllani, Lenka Çuko etj në ato vite, vjen në këtë ”Qytet”, por vetëm me një kusht, të ishte pa studentë! Dialog apo monolog ky!?”, - komenton Shehu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.