E gjendur përballë presionit të studentëve të cilët prej 16 ditësh protestuan për plotësimin e 8 kushteve, qeveria Rama ka miratuar një vendim më 19 dhjetor për të ndryshuar buxhetin e shtetit 2018 me një akt normativ me qëllim sigurimin e fondit për të përmirësuar kushtet e konvikteve në Tiranë.
Vendimi është mbajtur i fshehur nga qeveria, porse ai është publikuar në Fletoren Zyrtare. “Tabelat 1 dhe 4, të përmendura në nenin 10, zëvendësohen me tabelat me të njëjtin numërtim, që i bashkëlidhen këtij akti normativ dhe janë pjesë përbërëse të tij. Shtesa e grantit prej 300 milionë lekësh në programin e arsimit të lartë përdoret për përmirësimin e kushteve në konviktet e studentëve të Bashkisë Tiranë”, thuhet në aktin normativ që është firmosur nga ana e zv.kryeministres Senida Mesi.
Gjithashtu në këtë akt është përcaktuar se Fondi rezervë i buxhetit prej 1 500 milionë lekësh përdoret nga Këshilli i Ministrave, për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. Kontingjenca për risqet e borxhit prej 4 000 milionë lekësh përdoret për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose norma ose normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit.
Në pikën 1 e parë prej tetë kushteve të studentëve kërkohet: Rritja e buxhetit në 5% me qëllim përgjysmimin e tarifës së studimit, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës (Universitete/Konvikte). Kryeministri Rama pati deklaruar se për përmirësimin e kushteve të studentëve është nënshkruar një marrëveshje me qeverinë gjermane nëpërmjet KFW që synon realizimin e transformimeve të godinave ku jetojnë studentëve, që njihen ndryshe si konvikte.
Pas shpalljes së premtimit të kryeministrit se në janar studentët e Bachelor nuk do të paguajnë tarifën, duket se me këtë vendim po përpiqet të plotësojë dhe një pjesë të kushteve të tjera.
Ndërkaq studentët e kanë ndëprerë protestën për ta zhvilluar pas 8 janarit me fillim e studimeve universitare.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





