Presidenti maqedonas Gjeorgje Ivanov ka firmosur ligjin për amnistinë, i cili u miratua para tri ditësh nga parlamenti. Ligji do të amnistojë një numër të madh të të akuzuarve lidhur me ngjarjet e dhunshme të prillit të shkuar në parlament.
Gjithsej 33 persona, prej tyre pesë deputetë, ish-zyrtarë të lartë policorë, artistë, por dhe përkrahës të partisë VMRO-DPMNE ndodhen në bankën e të akuzuarve në procesin gjyqësor që po zhvillohet në gjykatën e Apelit në Shkup.
Ligji u botua të premte në fletoren zyrtare dhe ka hyrë në fuqi. Kështu që, prej sot deri të martën që vjen zgjat afati kur të akuzuarit mund t’i drejtohen Gjykatës Penale për amnisti lidhur me ngjarjet e 27 prillit 2017. Gjykata do të vendosë në bashkëpunim me prokurorinë publike, po ashtu brenda një afati prej pesë ditësh, pasi t’i kenë pranuar kërkesat.
Tashmë duket se është e qartë se ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së do të jenë ndër të amnistuarit, ndonëse ligji ka nxitur mjaft pakënaqësi tek opinioni publik, por edhe te një pjesë e gjykatësve e prokurorëve. Analistët shprehen se ky vendim i parlamentit nuk ka qenë i lehtë, por se për momentin është pragmatik dhe i dobishëm për vendin.
Ligji ka shkaktuar pakënaqësi sidomos te shqiptarët e Maqedonisë, të cilët vlerësojnë se pushteti i fal keqbërësit maqedonas në një proces të ngarkuar për veprën “terrorizëm kundër shtetit”, ndërsa lë në burg shqiptarët e dënuar për ngjarjet e Kumanovës dhe në procese të tjera që nuk rrezikonin shtetin sikur ky i 27 prillit të vitit të kaluar.
Sidoqoftë, ligji u soll për shkak të përfitimit të votave të deputetëve opozitarë maqedonas për ndryshimet e pritshme kushtetuese që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut. Ndonëse komuniteti ndërkombëtar e ka mirëpritur ligjin e amnistisë për shkak të hapjes së rrugës për këto ndryshime, një pjesë e ekspertëve mendojnë nga ana tjetër se me këtë ligj pushteti ka dobësuar vetë gjyqësorin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





