Opozita shqiptare ka deklaruar se e vetmja mënyrë për të zgjidhur ngërçin në arsim, është anulimi i ligjit për arsimin e lartë dhe dyfishimi i buxhetit.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se paratë janë në buxhetin e shtetit për ta bërë të mundur këtë, por nuk ka vullnet nga ana e kryeministrit Rama, i cili sipas tij, paratë e buxhetit po i përdor për orgji dhe lukse.
“Një familje mesatare shqiptare duhet të kursejë 875 mijë lekë të vjetra në vit, ose 72 mijë lekë të vjetra në muaj, që i bie 35 për qind e pagës mujore, për të çuar fëmijën në Universitet. Të çosh sot një fëmijë në Universitet është një sakrificë shumë e madhe. Ky është skenari i studimeve për 1 student, po për familjet ë aspirojnë të çojnë më shumë se 1 fëmijë në Universitet, – theksoi Basha. – Propozimet e PD për zgjidhjen e këtij ligji të korruptuar janë të qarta, dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë. Propozimi ynë është që kjo të përdoret në dy mënyrë. Studentët që vijnë nga familje me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra të përfitojnë subvencion të plotë”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila e quajti kryeministrin Rama një të çmendur psikik, i cili duhet të kurohet. Ajo kërkoi një kartelë mjekësore për çdo njeri që drejton vendin.
“Kjo foltore është kapur peng, nga një i sëmurë psikik. Buxhetin e kontrollon një i çmendur. Duhet t’i kërkojmë kartelën shëndetësore çdo njeriu që drejton këtë vend. Kërkesat e tyre janë shumë të thjeshta. Ato paratë, mos ua jepni oligarkëve, mos t’i them këtu me emra unë, por studentëve, sepse problemi do qëndrojë tek ty, nuk do të mbajnë më. Kemi vetëm një zgjidhje; të pranojmë ato kërkesat e studentëve, që është shumë pak. 0.80 e buxhetit të oligarkëve që ju do t’i jepni. Pra nga 46 për qind të buxhetit të u jepni oligarkëve, jepni studentëve 0.54. Nuk ishte një lëvizje partiake, kjo e studentëve, ka edhe anëtarë të partive, por e patë që ishte një lëvizje gjithëpërfshirëse”, – tha Kryemadhi.

Ndërkohë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka mbrojtur kauzën e saj në ligjin e arsimit të lartë, edhe pse i cilësoi kërkesat e studentëve të drejta. Nikolla tha se Basha vijon të ndjekë rrugën e shpifjeve dhe denigrimit, duke nënvizuar se nuk do ta ulë kokën…
“Shpifja gargarë në gojën tuaj mendoni se është mënyra më e mirë për të bërë votat për nesër apo kujtoni se do më zmbrapsni mua të ul kokën për baltën tuaj. Gaboheni. Koha po flet dhe do të flasë për rezultatet tona në arsim. Këtu do të jemi dhe do të shohim të gjithë. Do të flas dhe për vendimmarrjet e mia, ndryshe nga Ministrat tuaj sa në presionin e partisë, sa në presionin e korrupsionit. O sa rehat kanë qenë, e lanë tërë sistemin arsimor krejt në rënie të lirë. Në këto 5 vite kemi ndërmarrë reformë sistemike. Ka ende shumë rrugë drejt cilësisë. Por sot këta studentë protestues nuk konkurrohen nga Universitete piramida. Më thoni një reformë modernizuese të sistemit arsimor në kohën tuaj”, – deklaroi Nikolla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




