Lajme

Studentë e militantë në një shesh. Protesta rikthehet pas festave

Ditën e 16-të të protestës studentët e zhvendosën përpara Parlamentit, pasi sot do të diskutohej në seancë çështja e buxhetit të shtetit. Seanca e sotme ktheu në Parlament edhe opozitën, e cila theu bojkotin për të mbrojtur kauzën e studentëve.
Përreth godinës së Parlamentit vërehej një numër i shtuar i policëve për shkak se në këtë protestë nuk merrnin pjesë vetëm studentët, por prezent ishin edhe qytetarë të tjerë, që ishin organizuar nga ana e Partisë Demokratike, si edhe partive të tjera të opozitës.
Përbërja mikse e protestuesve vuri në vështirësi studentët, të cilët i frikësoheshin faktit se ajo mund të merrte një rrjedhë tjetër, një natyrë partiake. Në anën e djathtë të sheshit të protestës, nga pjesa drejt rrugës së 9-katësheve kishte më shumë militantë partie, ndërsa ana tjetër kishte studentë, të cilët rrinin në heshtje.

Policë në protestën e sotme


Në këtë protestë duhej të kërkohej me lupë ndonjë pankartë. Në fjalimet e tyre studentët disa herë u bënin apel qytetarëve të pranishëm që të mos bënin thirrje politike, pasi protesta është jo politike. “Mos bëni thirrje politike, nëse doni ikni nga protesta, kauza është e studentëve. Ne nuk jemi për largimin e Edi Ramës dhe ardhjen në pushtet të ndonjë partie tjetër, ne jemi për plotësimin e tetë kërkesave tona”, u shpreh një prej studentëve.

Pankartë në protestë


Në diskutimet mes tyre vetë studentët ishin të përçarë për faktin nëse duhej të flisnin veç studentët, apo dhe qytetarët e tjerë që kishin ardhur për t’iu bashkuar kauzës së tyre. Dhe protesta dukej se mund të merrte një rrjedhë tjetër në momentin kur një nga studentët i bëri të ditur turmës se në sallën e Parlamentit, kryeministri Edi Rama ishte qëlluar me vezë nga deputetët e opozitës. Menjëherë protestuesit jo studentë nisën të thërrisnin “Rama, ik! Rama, ik!”. Por kjo brohoritje u kontestua nga studentët, të cilët kërkonin që të mos lëshonin thirrje të tilla.

Një protestues i veçuar nga turma mban në duar letrat me pjesë nga dy poezitë e Fan Nolit dhe Sami Frashërit


“Pse keni ardhur këtu? Keni ardhur për studentët apo për veten tuaj? Ju kërkoj që nëse protestoni, duhet ta bëni thjesht si qytetarë. S’na intereson nëse ikën Rama apo jo, shpirti ynë nuk ka ngjyrë, na intereson vetëm që të plotësohen kërkesat tona”, reagoi një nga studentët.
Më pas qytetarët janë lënë që të marrin fjalën gjatë protestës, kjo si një kompromis i heshtur mes dy brezave që përfaqësoheshin në këtë tubim. Protestës iu bashkuan edhe banorët e Astirit, të cilët kishin veshur jelekët portokalli dhe bëni thirrje “Unaza e Bashkuar ka për të fituar”. Ata gjithashtu mbanin edhe në duar pankartat me fotot e ministrit Damian Gjiknuri dhe të kreut të ARRSH-së, Afrim Qendro.


“Ky është stacioni i fundit i të gjithë bastardëve”, shkruhej në pankartat e banorëve të Astirit.
Ndërsa në protestë nuk munguan as tymueset që u hodhën në drejtim të policisë. Ky ishte edhe i vetmi incident i kësaj proteste.
Protesta e sotme ishte e vakët, lajmërimi i dhënë për shtyrjen e seancës parlamentare ndikoi që studentët të merrnin menjëherë vendimin që ta zhvendosin protestën drejt Kryeministrisë, me synimin për të eliminuar edhe pjesëmarrjen militantëve apo dhe të simpatizantëve të partive të opozitës.


Gjatë zhvendosjes së studentëve, një pjesë e qytetarëve kanë zënë daljen anësore të Parlamentit, duke bllokuar deputetët e mazhorancës që prisnin jashtë në oborrin e rrethuar me gardhin prej hekuri, derisa u largua turma e protestuesve.

Deputetët e PS-së duke dalë pas ikjes së protuestuesve


Gjatë ikjes nga Parlamenti, deputeti i PS-së, Erjon Braçe, teksa po përshkonte në këmbë Pedonalen pranë Kalasë së Tiranës, është përballur me studentët. Në videon e mëposhtme studentët i thonë: “Çfarë shembulli je?”, “Kopuk” dhe “Ik, o provokator”. Braçe u drejtohet duke i bërë thirrje etikës së tyre. Por studentët nuk kanë hequr dorë nga thirrjet. Ndërkohë që ai largohet, studentët dëgjohen në kor teksa thërrasin “Turp! Turp! I duam tarifat sa Erion Braçe!”.
Përflitet mes radhëve të tyre se kjo është dita e fundit e protestës së studentëve. Të paktën një pjesë e tyre, e mbledhur përpara Korpusit Universitar e kishte paralajmëruar një gjë tillë. Si për të treguar se nuk janë të lidhur me politikën, këta studentë vijuan tubimin te Korpusi, duke iu shmangur dhe “ndikimit” partiak. Në janar ata premtojnë se do të rikthehen më masivë në protestën e tyre.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/314397615855799/?t=3

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë