Lajme

PS rrëzon Metën, bien dekretet për buxhetin dhe Tushën

Hapi i parë i mazhorancës socialiste për të rrëzuar dy dekretet e Presidentit Ilir Meta u hodh këtë të martë. Komisioni i Ekonomisë shqyrtoi shkurtimisht rikthimin e buxhetit të shtetit për 2019 nga kreu i shtetit dhe emrin e Vitore Tushës për kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Që të dy dekretet morën “karton të kuq” gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë. Rikthimin e buxhetit 2019 Presidenti Ilir Meta e vendosi në kuadër të protestës së studentëve. Në argumentimin e tij, kreu i shtetit kërkoi që të reflektoheshin në të kërkesat e ngritura nga studentët.

Por, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe mendon se kërkesat e studentëve mund të adresohen e mbështeten financiarisht nga Qeveria pa qenë nevoja që të ndryshohet buxheti i vitit të ardhshëm.

Sa i takon kandidaturës së Vitore Tushës për kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit, socialistët e rrëzuan atë me dy argumentime. I pari lidhej me pozicionin e saj në si anëtare të drejtësisë dhe kandidate për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Mazhoranca mendon se gjyqtarja, e vetmja që i mbijetoi vettingut në radhët e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është më e dobishme në sistemin e drejtësisë. Në argumentin e dytë, socialistët thonë se Vitore Tushës i mungon përvoja në proceset e auditimeve financiare.

Rrëzimi i këtyre dekreteve u paralajmërua ditën e hënë nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Është e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë që Presidenti i Republikës të kthejë buxhetin e shtetit. Buxheti i shtetit është votuar më 3 dhjetor. Kjo nuk ka të bëjë fare me çështjen e studentëve. Unë nuk shoh asnjë lloj lidhje mes këtyre të dyjave. Edhe vetë Presidenti e di këtë gjë. Për sa i përket çështjes së dekretit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, pozicioni ynë ka qenë i njëjtë që ditën e parë. E kemi vlerësuar personalitetin e kandidaturës, por vlerësojmë po ashtu shumë të rëndësishme, prezencën e saj në institucionin më të lartë të drejtësisë së re sikurse është KED-ja”, deklaroi Balla.

“Vula” përfundimtare e rrëzimit të këtyre dekreteve pritet të vendoset në seancën plenare të ditës së enjte, ndërkohë që të premten Parlamenti është thirrur në një tjetër seancë, e fundit për këtë vit, për të diskutuar mbi propozimin e PD-së për vettingun në politikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë