Rend dhe Ligj

Provat e reja të SPAK për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018, ish-e dashura e Safet Bajrit dyshohet si bashkëpunëtore

Gazeta Si- Një ish-modele e showbizz-it, Eria Ago është arrestuar para disa ditësh me urdhër të SPAK, si bashkëpunëtore e dyshuar e Safet Bajrit, i cili akuzohet për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 në Shkodër.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, Eria Ago dyshohet nga prokurorët si bashkëpunëtore në këtë ngjarje, kohë në të cilën ka qenë e lidhur me Safet Bajrin.

Mësohet se ajo ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e Shkallës së Parë për masën e sigurisë “arrest në burg”, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “përkrahje të autorit të krimit”.

Mbrojtësi ligjor kundërshton masën shtrënguese me argumentin se provat e SPAK nuk qëndrojnë, shtuar këtu edhe faktin që vajza ndodhet e shtruar në spitalin e burgut për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike.

Masa e sigurisë

E reja u arrestua me urdhër të prokurores Elida Kaçkini, nën dyshimin se ka ndihmuar Safet Bajrin dhe Astmer Bilalin ditën kur ndodhi vrasja e Fatbardh Licit në Shkodër.

Gjatë seancës për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë, Eria Ago ka mbajtur qëndrim mohues lidhur me pretendimet e prokurorisë së posaçme, duke thënë që ajo nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se ditën kur është vrarë Fatbardh Lici ka qenë në Tiranë dhe jo në Shkodër.

Sipas informacioneve, Ago është marrë në pyetje lidhur me këtë çështje që në kohën kur ndodhi ngjarja, por është lënë e lirë.

Për të njëjtën ngjarje, kanë ankimuar masën në Apel edhe tre të dyshuarit për vrasjen e Licit, Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri.

Provat e SPAK-ut falë fotove dhe përgjimeve

Disa nga fotot e nxjerra nga kamerat e sigurisë në gjurmimin që Prokuroria e Posaçme i ka bërë makinës së autorëve të vrasjes së Fatbardh Licit në gusht 2018, janë disa nga provat që përfshijnë të dyshuarit.

Itinerari i Eria Agos, karakteristikat fizike të makinës, ndërrimi që sipas SPAK ka bërë Safet Bajri dhe Asmter Bilali, të mjetit me të cilin janë nisur nga Tirana për në Shkodër me atë që kryen vrasjen, sipas Prokurorisë shkojnë në harmoni edhe me disa përgjime që janë kryer në ato kohë.

Në vendimin e masës, SPAK thotë se Safet Bajri dhe Astmer Bilali janë nisur nga Tirana mëngjesin e datës 10 gusht herët dhe është konfirmuar që në orën 6 e 11 minuta kanë qenë në Lezhë.

Bashkë me ta, hetuesit sqarojnë se ka qenë e pranishme edhe Eria Ago, në atë kohë e dashura e Safet Bajrit.

Ata kanë mbërritur në Shkodër dhe kanë marrë një makinë ngjyrë gri, me të cilën kryen krimin dhe kanë shkuar për në lagjen Kiras, në lokalin ku ishte viktima.

Pas ngjarjes, SPAK thotë se ka dokumentuar që ata kanë shkuar në zonën e njohur si Dobraç dhe pranë një lokali që njihet si i familjes Bajri, i hetuari Safet Bajri ka zbritur dhe është larguar, ndërsa Astmer Bilali, ka djegur makinën.

Më pas Bilali, i cili ka kryer ekzekutimin, flet në telefon me Eria Agon për vendin e takimit, nga ku të dy nisen për në Tiranë dhe më pas për në Vlorë.

Mjeti i përdorur nga Ago sipas disa vëzhgimeve në terren të bëra nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, ishte i Safet Bajrit.

Akuza

SPAK akuzon treshen e grupit Bajri se në bashkëpunim kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen me paramendim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Motivi i vrasjes së Licit sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit, se Ibrahim Lici, kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi.

Nga ana tjetër, të gjithë të hetuarit, por edhe Ibrahim Lici, ky i fundit i akuzuar nga Behar Bajri si organizator i vrasjes së mikut të tij Boran Bërçana dhe partneren e tij Silvi Ndoci, ishin në përgjim.

Këto komunikime tregojnë se si Behar Bajri ka futur në konflikt Licin me Bilalin, konflikt që është pasuar me ekzekutimin e Fatbardh Licit.

Për këtë ngjarje që autoritetet ende nuk e kanë zbardhur, një muaj më pas dyshohet se Bajrët morën hak duke vrarë xhaxhanë e Licit.

Ashtu si në rastin e ish-të dashurës së tij, Eria Ago, edhe arrestimi i Safet Bajrit u bë në një operacion mjaft diskret, pasi urdhër-arresti i SPAK u ekzekutua 4 ditë pas firmosjes nga gjykata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë