Nga Gazeta ‘SI’ – Një ligj i ri i propozuar nga ministria e Shëndetësisë, parashikon vlerësimin e punës së papagur nga gratë dhe burrat, si një kontribut i rëndësishëm për ekonominë dhe shoqërin e vendit.
Në draftin “Për barazinë gjinore”, të gjithë punëdhënësit, privat apo publik detyrohen të miratojnë rregulla dhe orare pune të reduktuara apo në distancë për gratë e burrat që kujdesen për familjarët.
Projektligji detyron INSTAT që të publikojë çdo 4 vjet, anketën për përdorimin e kohës dhe punën e papaguar.
“Institucionet publike hartojnë dhe miratojnë politika për balancën punë-jetë duke nxitur pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, ndërgjegjësimin për ndarjen e barabartë të përgjegjësive të kujdesit midis burrave dhe grave, marrë masa për eliminimin e hendekut gjinor në të ardhura dhe paga, si dhe zbatimin e tyre nga subjektet private. Punëdhënësit publikë dhe privatë rishikojnë rregullat e punësimit, dispozitat e kontratave individuale dhe kolektive të punës, me qëllim përfshirjen e rregullave për orare fleksibël dhe të reduktuara pune, si dhe kryerjen e punës në distancë”, thuhet në dokumentin në konsultim.
Puna e papaguar quhet kujdesi për mirëqenien e familjes, fëmijët, puna në bujqësi.
Një propozim i draftit është edhe përputhja gjinore e titujve dhe gradave profesionale në certifikatë, diplomë, licencë, punime shkencore etj. P.sh një grua në drejtim të një ministrie do të referohet si “ministre” dhe jo ministër, siç shënohet momentalisht.
I njëjti draft ndalet dhe tek ndikimi i medias në përhapjen apo kufizimin e diskriminimit gjinor. Aty thuhet se mediat duhet të ndalojnë transmetimin dhe publikimin e materialeve mediatike që përmbajnë gjuhë diskriminuese dhe dhunë me bazë gjinore.
Mediat duhet të marrin masa për eliminimin e përmbajtjeve të informimit publik dhe mediatik, përfshirë reklamat dhe përmbajtjet e mediave sociale, që krijojnë ose nxisin diskriminimin bazuar gjini dhe/ose dhunë me bazë gjinore. Të ndalojë gjuhën seksiste, stereotipet gjinore dhe të ndërgjegjësojë mbi barazinë gjinore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.