Gazeta Si – Një ish-Oficer i Policisë Gjyqësore, Fatbardh lala, i arrestuar në SHBA dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar për ryshfet e nxjerrje të sekretit shtetëror, u ekstradua këtë të enjte në Shqipëri.
Policia tha se në koordinim me SPAK dhe Agjencinë federale DSS/OCIU, prezente në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë në Shtetet e Bashkuara 56-vjeçarin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ndaj tij ka një urdhër arresti nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për t’u përballur me akuzat dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ai akuzohet për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.
“Shtetasi Fatbardh Lala u ekstradua rreth orës 15:00 të ditës së sotme. Ky operacion për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e këtij shtetasi ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta disamujore, ndërmjet agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe atyre amerikane”, njoftoi policia.
Lala u shpall në kërkim pasi duke punuar si OPGJ në Prokurorinë e Tiranës, arriti të bindë nënën e një të paraburgosuri që të jepte ryshfet 50 mijë lekë, për të lehtësuar pozitat e të birit.
Ai mori përsipër dhe pranoi këtë shumë, duke premtuar se do të ndërhynte tek gjyqtari dhe prokurori të cilët kishin në ngarkim çështjen penale të Ermir Llagaçit.
Informacionet e siguruara në zyrat e Prokurorisë së Tiranës, Lala ia transmetoi nënës së Llagaçit nëpërmjet telefonit. Sipas SPAK, OPGJ-ja i rekomandoi gruas, se prokurorët duhen takuar.
Pavarësisht ryshfetit të dhënë nga i pandehuri, ai u dënua me burgim, por vepra penale konsiderohet e konsumuar.
Krahas shumës prej 50 mijë lekësh, nëpërmjet nënës së tij, Ermir Llagaçi, i dha avokatit 300 mijë lekë dhe gjysma e tyre do të jepej nga avokati gjyqtarëve të Apelit, të cilët ishin tre dhe secilit do t’i jepej shuma prej 50 mijë lekësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


