Drejtësia

Përgjimi për korrupsion i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, si po reagon Altin Dumani dhe a janë në rrezik provat e SPAK-ut nga aplikacioni SKY/ECC?  

A ka në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese fjali që favorizojnë Pëllumb Gjokën dhe shumë të tjerë në pozitat e tij

Nga Gazeta ‘Si’- Rrjedhja në media e një urdhri përgjimi, me kërkesë të SPAK-ut, për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Gent Ibrahimi e ka vendosur Prokurorinë e Posaçme në një pozicion të vështirë publik.

Bëhet fjalë për një dokument sipas të cilit palë të përfshira në gjykimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjshmërisë së përgjimeve të SKY/ECC kanë tentuar të korruptojnë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese për ta zbardhur vendimin në favor të kërkesave të të akuzuarit nga SPAK-u Pëllumb Gjoka.

Prej tij do të përfitonte edhe çdo person tjetër i krimit të organizuar që akuzohet nga SPAK, bazuar mbi përgjimet e autoriteteve franceze të aplikacionit SKY/ECC.

“Ekzistojnë të dhëna se persona të interesuar mund të kenë ushtruar ndikim tek gjyqtari Gent Ibrahimi me qëllim për te realizuar qëllimin e tyre në mënyrën e formulimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar kundrejt ofrimit apo premtimit të përfitimeve të parregullta”- thuhet në kërkesën për përgjim të Prokurorit të SPAK-ut Klodian Braho për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Gent Ibrahimi.

Përgjimi, sipas dokumentit që ka rrjedhur në media, flet për përgjim dy javor të tij, nga data 10-25 shkurt.

Gazetasi.al i kërkoi zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme një prononcim për këtë ngjarje shumë të rëndësishme në kupolën e sistemit të drejtësisë, por zyrtarisht erdhi përgjigja “Nuk kemi asgjë për të thënë për mediat”. Pyetjet e dërguara ishin si më poshtë:

  1. A është autentik dokumenti që po qarkullon në media, sipas të cilit prokurori Klodian Braho ka kërkuar përgjimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Gent Ibrahimi?
  2. Nëse dokumenti është i vërtetë, për çfarë dyshohet gjyqtari dhe a është ai pjesë e një hetimi aktualisht?
  3. A po verifikon SPAK, nëse zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e kërkesës së Pëllumb Gjokës për ligjshmërinë e SKY/ECC është në favor të tij?

Drejtuesi i SPAK-ut Altin Dumani, i cili, zakonisht, ndërvepron me mediat për të dhënë sqarime në rrugë zyrtare, këtë herë ka heshtur. Një heshtje që, në fakt, flet shumë. 

Veçanërisht për vërtetësinë e dokumentit që qarkullon në media. Pavarësisht se zoti Dumani në një përgjigje zyrtare për Gjykatën Kushtetuese ka deklaruar se “asnjë gjyqtar kushtetues nuk është person nën hetim”, kjo nuk do të thotë se SPAK nuk po heton.

Sipas dokumentit të publikuar në media dhe që SPAK nuk e përgënjeshtron, SPAK bën të qartë se nuk po heton një person, por ka dyshime të arsyeshme se për zbardhjen e vendimit të arsyetuar të SKY/ECC, të paktën deri në 10 shkurt, kur është kërkuar përgjimi, po kryheshin veprat penale të korrupsionit pasiv dhe aktiv të gjyqtarëve.

Dyshimet i ka bërë më të forta edhe vonesa e pazakontë dhe në shkelje të afateve ligjore e zbardhjes së arsyetimit nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi është marrë në 30 dhjetor 2024, por është publikuar në 12 shkurt 2025. Sipas ligjit ai duhet të ishte zbardhur brenda 30 ditëve, pra jo më vonë se data 30 janar 2025. “Të dhënat dhe informacionet e mësipërme të vlerësuar në lidhje edhe me mungesën e arsyetimit sipas afatit të rregullores dhe ecurinë e çështjes gjyqësore të gjykimit në themel  vijnë në lidhje logjike dhe në përputhje me njëra-tjetrën dhe janë në gjendje që të përbëjnë të dhëna të mjaftueshme për të filluar ndjekjen penale dhe për të kryer veprime të mëtejshme proceduariale”- thuhet në kërkesën e SPAK-ut për përgjimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Gent Ibrahimi 2 ditë përpara publikimit të vendimit të shumëdebatuar në Gjykatën Kushtetuese.

Por megjithëse fokusi është përqendruar tek çështja e përgjimit të SPAK-ut të Gent Ibrahimit apo të tjerëve, një pyetje akoma më e rëndësishme vazhdon të qendrojë akoma e pasqaruar: A ka në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese fjali që favorizojnë Pëllumb Gjokën dhe shumë të tjerë në pozitat e tij për shkak të përgjimeve nga SKY/ECC, me qëllim që provat nga aplikacioni SKY/ECC të mos përdoren ose të relativizohen në procesin gjyqësor kundër tij dhe të tjerëve në pozitat e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë