Rend dhe Ligj

Dosja ‘Toyota Auris’, dorëzohet në policinë e Tiranës avokati Radovan Çela

Gazeta Si – Avokati Radovan Çela, i cili ishte në kërkim për dosjen “Toyota Auris”, është dorëzuar në Policinë e Tiranës.

Radovan Çela, dyshohet nga SPAK se ka konsumuar veprat penale të ndikimit të paligjshëm tek disa funksionarë të drejtësisë, me premtimin se do u jepte atyre përfitime në formën e korrupsionit.

Për dosjen e cila ka kaluar për gjykim, është i përfshirë edhe kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili është në qeli, ndërsa në kërkim vijojnë të jenë Erjona Daupaj, oficere e BKH, si dhe Astrit Vladi.

SPAK sqaron se këta persona kanë ndërhyrë dhe janë korruptuar në zbutjen e rrethanave penale për personat e arrestuar për futjen në Shqipëri të 3.4 milionë eurove në disa makina “Toyota Auris” në 2018 dhe për sabotimin e letër-porosive të ardhura nga autoritetet belge.

Po kështu, sipas SPAK, ata kanë ndërhyrë edhe në mbylljen e një hetimi pasuror të SPAK në vitin 2020 për Suel Çelën, aktualisht i shpallur në kërkim si kreu i një organizate kriminale. Një tjetër ndërhyrje është ai për një hetim për vjedhje në Prokurorinë e Tiranës dhe mbylljen e dy çështjeve në Prokurorinë e Vlorës, njëra prej tyre për kultivim të kanabisit.

Dosja “Toyota Yaris” lidhet me bllokimin e bujshëm të 3.4 milionë eurove në qershor të vitit 2018 në portin e Durrësit, një dosje që u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pastrim parash, por pas disa procedurave u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe u mbyll me akuzën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë