Motosport

Padroni Marquez, triumfoi ndaj vëllait Alex dhe Bagnaia-s

Garë historike për vëllezërit Marquez në Tajlandë ku Marc i la kryesimin Alex për pjesën më të madhe të xhirove, duke e parakaluar në të fundit përpara se të bëheshin të parët vëllezër që renditen në dy vendet e para në MotoGP.

32 vjecari spanjoll që ka fituar 6 tituj botërorë fitoi garën e parë në bordin e Ducati-t duke përsëritur suksesin e Casey Stoner në vitin 2007. Në shkallën më të ulët në podium u ngjit Bagnaia i ndjekur nga Morbidelli, Ogura dhe Bezzechi. 

Kjo ishte fitorja e 63 dhe podiumi i 112 (barazoi patriotin Dani Pedrosa) për veteranin spanjoll që filloi një etapë të re në karrierën mbi dy goma. Gjithashtu Marc barazoi rekordin e Mick Doohan me 27 hat trick (fitore + xhiro e shpejtë + pole position).

Në garën e sotme ai erdhi në krye pas suksesit në Sprintin e një dite më parë ku sërish la pas vëllain Alex dhe italianin Bagnaia. Garë pothuajse e ngjashme në Moto2 ku pasi vendosi pole position, Manuel Gonzalez arriti të fitonte edhe garën. Suksesi i dytë për spanjollin në botërorin e motociklizmit. 

Mbi “Kalex Intact GP” ai la pas Aron Canet (Fantic). Ndërsa podin e plotësoi Senna Agius. Australiani ishte protagonist i kontaktit që nxorri Celestino Vietti-n nga pista.

Më herët në klasin Moto3, Antonio Rueda dhe Red Bull KTM dominuan mes kadetëve. I dyti në bordin e austriakëve, debutuesi Alvaro Carpe i ndjekur nga Adrian Fernandez (Leopard Honda). Gara e rradhës do të zhvillohet pas 2 javëve, 15-16 Mars në Argjentinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë