Drejtësia

SPAK i përgjigjet Ramës: Për korrupsion vetëm 5.1 % e rasteve janë në burg

Gazeta Si – SPAK ka publikuar bilancin e dhënies së masave të sigurisë gjatë vitit 2024, për gjithsej 629 persona, nga të cilët 236 janë dërguar në “arrest me burg”.

Me një postim në rrjetin social Facebook, të shoqëruar edhe me një foto-ilustrim shifrash e përqindjeje, thuhet se këto masa janë shpërndarë në mënyrë të ndryshme, ku për individët e akuzuar për korrupsion, masa “arrest me burg” përbën 5.1% të totalit të masave.

Ndërsa për ata të përfshirë në krimin e organizuar, kjo masë arrin në 30.84% të totalit të masave të sigurisë të regjistruara, duke zënë numrin më të madh.

Sipas bilancit të Prokurorisë së Posaçme, për Korrupsionin, masa “arrest me burg” zë 5.1% të totalit të masave. Kurse për Krimin e Organizuar, masa e sigurisë “arrest me burg” zë 30.84% të totalit të masave të sigurimit të regjistruara.

“Nga vlera totale: Për Korrupsionin, masa “arrest me burg” zë 5.1% të masave. Për Krimin e Organizuar, masa e sigurisë “arrest me burg” zë 30.84% të totalit të masave të sigurimit të regjistruara”, thekson Prokuroria e Posaçme.

Javët e fundit, kryeministri Rama dhe SPAK janë përplasur me deklarata dhe kundërpërgjigje mbi përdorimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, pa kriter.

Prokuroria e Posaçme, në një reagim zyrtar më 19 shkurt, publikoi disa statistika për vitin 2024, ku figuron se vetëm 30% e personave që po hetohen nga SPAK, janë në masë sigurie “arrest në burg”, pra në paraburgim, teksa sot ka përsëritur shifrat e masave nga ana e saj.

Në reagimin e tij, Rama shprehu haptas kritikat për masën e sigurisë të caktuar për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Si argument, kryeministri përdori raportin e KE për numrin e lartë e të paraburgosurve, ndërsa e menjëhershme ishte përgjigja e SPAK, ku theksohej se numri i të paraburgosurve me urdhër të prokurorëve të posaçëm ishte fare i ulët në raport me numrin e përgjithshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë