Senati i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë mbështet kërkesat e studentëve për përgjysmimin e tarifave të studimit dhe heqjen e tarifave të tjera të shërbimeve për studentët.
Përmes një deklarate të përbashkët me Bordin e Administrimit, Senati kërkon që efektet financiare që pasojnë këto vendime duhet të mbulohen nga buxheti i shtetit.
“Senati Akademik pasi vlerësoi treguesit e buxhetit të vitit akademik 2018-2019 kërkon që efekti financiar që vjen nga ky reduktim të mbulohet nga granti i buxhetit të shtetit, pasi në të kundërt përgjysmimi i tarifave të studimeve, përballuar vetëm nga fondet e Universitetit do të rrezikonte qëndrueshmërinë financiare të institucionit dhe do të ndikonte negativisht në cilësinë akademike”, thuhet në deklaratë.
Më tej u kërkohet fakulteteve që të bëjnë një analizë të plotë të kostove financare për çdo program studimi dhe t’i paraqesin ato për vlerësim në Senatin Akademik dhe Bordin e Administrimit. Sa u takon kërkesave të tjera të studentëve, Senati kërkon ngritjen e grupeve të përbashkëta me Këshillat Studentore.
Në këtë deklaratë, Senati Akademik i UMT-së thotë se në vlerësim edhe të kërkesave të studentëve vendosi të përmirësojë trasparencën duke pasqyruar në faqen zyrtare të tij aktivitetin financiar të universitetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




