Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u ka qëndruar larg deri më tani komenteve në lidhje me protestat e studentëve. Por, së fundmi ai ka folur për to, duke u shprehur në të njëjtën linjë me qeverinë për nevojën e dialogut.
Veliaj thotë se studentët duhet të shfrytëzojnë mundësinë që në këtë rast kanë si aleate qeverinë.
“Fakti që studentët na e sollën këtë në vëmendje përmes protestës është një gjë shumë e mirë. Shikoj një dobi të jashtëzakonshme tek përpjekja për dialog dhe te fakti që kanë filluar komunikimet. Besoj që të rekrutosh në këtë akuzë Kryeministrin dhe qeverinë dhe ta bësh ortak të studentëve për t’i adresuar këto çështje, jo vetëm për të ulur tarifat, por për të shtuar edhe ngacmimeve seksuale të profesorëve, për t’i shtuar edhe korrupsionit kur vjen puna te provimet, edhe te mënyra si shpenzohen këto fonde për lukse ndërkohë që e kërkuan një pavarësi por jo vetëm për privilegje, e kërkuan edhe për përgjegjësinë”, tha ai në emisionin “E Diela Shqiptare”.
Edhe tek fakti që protestohet ai sheh një anë të mirë.
“Qeveria sot arrin të sigurojë një të drejtë themelore të shtetasve të vet, ndryshe nga më parë. Që ky është një qytet që debaton dhe që ka opinione për çdo gjë dhe që kërkon ballafaqim kjo do të thotë se ky është një qytet i gjallë. Njoh shumë qytete në botë ku mbaron ora 5 nuk ka jetë, as për argëtim, as për protesta, për asgjë. E dyta, që ky është një qytet ku sot ti proteston lirshëm dhe nuk vritesh me plumba. Se në Shqipëri kemi qenë, në Tiranë kemi qenë ku protestoje dhe unë mbaj mend nga një protestë jemi kthyer me katër arkivole. Do të thotë që jemi komplet në një situatë tjetër”, deklaroi ai.
Bashkia e Tiranës ka marrë së fundmi në dorëzim konviktet e studentëve. Veliaj thotë se menjëherë nisi punën për rikonstruksionin e tyre.
“Më vjen mirë që si bashki këtë vit qeveria mori një vendim për të na i kaluar ne konviktet dhe siç e keni vënë re kemi filluar fillimisht me Inxhinierinë e Ndërtimit, 4 konviktet e para me KFV, po vazhdojmë me 8 të tjera në Qytetin Studenti”, vijoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




