Gazeta Si – Vladimir Kola, 42-vjeçari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si bashkëpunëtor në vrasje, është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri mëngjesin e kësaj të enjteje.
Dyshohet se Kola me datë 20 tetor 2022, në kompleksin “Kodra e Diellit” në Tiranë, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë me armë zjarri Briken Sanajn.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 23 Nëntor 2022, i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Briken Sanaj u qëllua me 5 plumba pistolete në zonën e “Kodrës së Diellit”, disa metra larg shtëpisë teksa po dilte nga makina në 30 tetor 2022.

Prokuroria thotë se në tetor të vitit 2022, autori i dyshuar, Vladimir Kola ka udhëtuar nga Barcelona në Podgoricë e më pas ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme pa u regjistruar në pikën e kontrollit.
Pas kësaj, ai ka blerë një makinë duke përdorur targat e një mjeti tjetër, i cili pas vrasjes së Sanajt është gjetur i djegur në fshatin Domje.
Brenda tij është gjetur arma e krimit, ndërsa autori ka kaluar sërish në Mal të Zi në mënyrë të paligjshme.
Kola u arrestua në Gjermani më 16 prill të vitit të kaluar. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për plagosje me pasojë vdekjen, keqtrajtim, vrasje, armëmbajtje pa leje dhe eksploziv.
Kola dyshohet se ka vepruar i vetëm në ekzekutim, ndërsa për krijimin e kushteve është ndihmuar nga dy shtetas të tjerë kosovarë.
Konkretisht Kened Antoni i cili rezulton se ka shitur makinën “Benz”, e cila u përdor në krim tek Gjelosh Krasniqi dhe më pas e kanë futur atë në Shqipëri për ta përdorur Vladimir Kola.

Para se të ndodhte atentati, Sanaj ishte kthyer nga një dasmë në Lezhë. Pasi mbërriti te Kodra e Diellit, sapo zbriti nga makina, u qëllua nga afër nga një makinë tjetër në lëvizje.
Makina “Benz” që përdori autori u gjet e djegur më pas në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një armë kallashnikov. Policia njoftoi se makina ishte me targa të vjedhura në Tiranë.
Shkak i vrasjes së 39-vjeçarit dyshohet të jetë bërë gjakmarrja, zanafilla e të cilës nis prej vitit 2012 në Lezhë, kur familjari i Vladimirit është plagosur rëndë nga vëllai Briken Sanajt.
Po ashtu, sipas burimeve, në vitin 2010, familja Sanaj ka pasur konflikt me familjen Kola, për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.