Lajme

Basha nga “Astiri”, fton shqiptarët të bashkohen me studentët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i pranishëm në protestën e banorëve të “Unazës së Re”, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në mbështetje të studentëve.

Basha ka thënë se për të grabitur paratë e shqiptarëve, Rama dhe Veliaj kanë vendosur të nxjerrin mes katër rrugëve banorët e “Astirit”. Ashtu si kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ditën e sotme, kryedemokrati bëri thirrje për një bashkim kombëtar siç e quajti ai, për të rrëzuar këtë regjim grabtiqar dhe korruptiv.

“Sot e gjithë Shqipëria është në protestë, ajo e studentëve, e “Unazës së re”, për naftën dhe energjinë, ndaj këto janë shenjat më të qarta të gjendjes se ku ndodhet vendit. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve mbështetësve të PD, opozitës që të dalin masivisht në mbështetje të studentëve, – u shpreh Basha. -Rama po luan me nervat e tyre me shëndetin e tyre. Unë dua t’u drejtoj një ftesë gjithë shqiptarëve të bashkohen me studentët”.
Basha theksoi se mbështet kërkesat e studentëve dhe tha se nuk do të jenë asnjëherë vetëm. “Ne mbështesim 8 pikat e tyre të kërkesaave, kemi 3 vjet që kërkojmë anulimin e ligjit të arsimit të lartë. Të bashkohemi për t’i treguar Ramës se ne nuk i lëmë vetëm studentët. Kjo është ftesa që kam sot për gjithë shqiptarët’, deklaroi Basha.

Ditën e sotme, protestës së studentëve para kryeministrisë, iu bashkuan edhe banorët e “Astirit”, të cilët vijojnë të jenë të vendosur për të mos lejuar shembjen e banesave të tyre nëse nuk kompensohen 100%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë