Rend dhe Ligj

Arratisja e të dënuarit Daut Laze, lirohen nga qelia 3 punonjësit e burgut të Shënkollit

Gazeta Si – Tre punonjësit e burgut të Shënkollit, të cilët u arrestuan pas arratisjes së 49-vjeçarit Daut Laze, u liruan nga qelia.

Mësohet se Gjin Ndoka, Mark Nikolli dhe Zhaneta Mella, u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Sipas burimeve në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, ata kanë deklaruar se kanë qenë në detyrë, por nuk e kanë konstatuar 49-vjeçarin duke u arratisur nga burgu.

Gjyqtari i çështjes, Lirim Bulica, pranoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tre punonjësve të burgut dhe vendosi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për Gjin Ndokën dhe Mark Nikollin.

Ndërsa për Zhaneta Mellën, punonjësja në sektorin e kamerave të sigurisë, u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Daut Laze u arratis nga burgu i Shënkollit në Lezhës mbrëmjen e 3 shkurtit dhe pavarësisht kontrolleve, policia nuk ka arritur të bie ende në gjurmët e tij.

Nga veprimet e kryera rezulton se 49-vjeçari me probleme të shëndetit mendor të ketë dalë në ajrim, aty ka marrë një llamarinë të cilën e ka mbështetur te muri mbi 4 metra i lartë në anën jugore të burgut, duke e kapërcyer dhe larguar.

Për kapjen e 49-vjeçarit të arrestuar për “dhunë në familje” në vitin 2021, policia ka ushtruar kontrolle të shumta, por deri më tani pa rezultat.

Duke e konsideruar Daut Lazen si një person me rrezikshmëri shoqërore, për shkak dhe të problemeve të shëndetit mendor, policia ka vënë në dispozicion dhe një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo qytetar, informacion i të cilit çon në arrestimin e tij.

Daut Laze ndodhej në këtë burgun e Shënkollit në Lezhë prej nëntorit 2024, pas vendimit të gjykatës së Tiranës që kishte caktuar masën “shtrim i detyruar në një institucion mjekësorë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë