Nga Gazeta Si- “Është një sipërmarrje e përbashkët e dy vendeve fqinje, Serbisë dhe Shqipërisë”. Kjo është fjalia e vetme ‘jashtë kornizave’ që vihet re në raportimin e mediave serbe të lajmit se Euro2027 e U-21 do të organizohet në Serbi dhe Shqipëri.
Mediat e tjera kanë zgjedhur ta servirin lajmin pa ngjyrime, duke cituar vetëm informacionet zyrtare nga UEFA dhe fjalën e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Serbe të Futbollit, Branko Radujko, i cili ishte i vetmi që këtë ngjarje e cilësoi si turneun më të madh në historinë e futbollit.
“Do jetë një ngjarje që do t’i tregojë botës se çfarë është e mundur të bëhet kur njerëzit përqendrohen në një qëllim të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit. Si i tillë, ai përfaqëson një trampolinë për përmirësimin e stadiumeve dhe objekteve të tjera të futbollit në të gjithë vendin, me mbështetjen e UEFA-s”, tha ndër të tjera Radujko.
Në një linjë ka qenë edhe Federata Shqiptare e Futbollit, ku në deklaratë shkruan se Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli.
“Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”.
Gjithashtu, në një vështrim të mediave kryesore serbe, vihet re se ende nuk ka as ndonjë reagim zyrtar nga grupimet e tifozëve serbë, ndryshe nga grupi ‘Tifozat Kuq e Zi” në Shqipëri, të cilët shkruajnë se “do t’ju mallkojë historia dhe gjaku i dëshmorëve”. Në Serbi, gjithçka është e qetë dhe asnjë media nuk përmend përplasjet e 2014 në Beograd e as përplasjet ‘e freskëta’ në Euro2024.
Mediat e huaja nuk heshtin: Pavarësisht tensioneve ndër vite…
Mediat e huaja nga ana tjetër e lidhin organizimin e këtij turneu me tensionet në futboll midis dy vendeve.
“Serbia dhe Shqipëria do të organizojnë Euro 2027 U-21 mes tensioneve politike, pavarësisht braktisjes së ndeshjes në 2014 për shkak të dhunës dhe incidenteve të Euro 2024”. Me këtë titull e ka pasqyruar lajmin Daily Mail, një ndër shumë mediat e huaja që kanë përmendur tensionet që në titull, duke u dhënë një rëndësi të veçantë ngjarjeve të ndodhura së fundmi në Euro2024.
Serbia kërcënoi se do të largohej nga turneu pasi tifozët e Kroacisë dhe Shqipërisë pretendohej se ishin dëgjuar duke brohoritur ‘Vritni serbët’ gjatë ndeshjes së tyre në fazën e grupeve.
Thirrjet kishin pasuar një incident të mëparshëm gjatë ndeshjes hapëse të Serbisë kundër Anglisë, në të cilën një gazetar kosovar bëri shqiponjën me duar drejt tifozëve të tyre, një veprim që nxiti zemërim në Beograd.
Gazetari u përjashtua menjëherë nga turneu për ‘sjellje të pahijshme’.
Lojtari Mirlind Daku u dënua gjithashtu për dy ndeshje në turne sepse bëri thirrje nacionaliste, pasi kishte rrëmbyer një mikrofon dhe kishte drejtuar thirrjet që shanin serbët.
Mediat e huaja shkruajnë se Serbia dhe Shqipëria janë të vetmet që janë ofruar për të mbajtur turneun por “organizimi i përbashkët shihet brenda UEFA-s si një tregues i fuqisë së futbollit për të bashkuar kombet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.