Ngjarje

Gjykata e Apelit të Romës rrëzon sërish Melonin, 43 emigrantët e Gjadrit do të kthehen në Itali

Gazeta Si – Pavarësisht nga marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, për herë të tretë, Gjykata e Apelit të Romës ka vendosur që emigrantët e paligjshëm në kampin e Gjadrit, të kthehen në Itali.

Vendimi, i cili detyron dërgimin përtej Adriatikut të 43 emigrantëve që ndodhen aktualisht në Lezhë, u mor gjatë mbrëmjes së kësaj të premteje. Kështu, të gjithë 43 emigranët që u sollën në Shqipëri do të kthehen nesër (të shtunën, 1 shkurt 2025) në Itali.

Vendimi i Gjykatës së Apelit ka të bëjë vetëm me ndalimin e emigrantëve në Shqipëri dhe jo me kërkesën e tyre për azil.

Kjo u refuzua veçmas të enjten, por 43 emigrantët kanë 14 ditë për të apeluar. Ndërkohë ata do të mund të qëndrojnë në Itali dhe do të duhet të presin përfundimin e procedurave për kërkesat e tyre për azil, siç parashikohet në procedurën e miratuar nga qeveria.

Edhe në rastin e dy grupeve të mëparshme të azilkërkuesve të sjellë në Shqipëri, në muajt tetor dhe nëntor, gjyqtarët italianë kishin vendosur të mos vleftësonin ndalimin.

Siç kishte bërë tashmë Gjykata e Romës, Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, duke i kërkuar asaj që të jepte një mendim përfundimtar për këtë çështje.

Vendimi në fakt lidhet me një vendim të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, i cili u tregon vendeve anëtare të Bashkimit se si të përcaktojnë nëse një vend është “i sigurt”.

Si në rastet e mëparshme, sipas Gjykatës së Apelit, vendet nga vijnë emigrantët nuk janë në përputhje me përcaktimin e dhënë nga Gjykata e Drejtësisë dhe për këtë arsye ata nuk mund të ndalohen në Shqipëri.

Sipas gjyqtarëve, shumë nga vendet që konsiderohen të sigurta nga qeveria italiane, si Bangladeshi dhe Egjipti, nga vijnë një pjesë e madhe e emigrantëve të sjellë në Shqipëri, nuk përmbushin në fakt kriteret evropiane.

Për këtë arsye, duke qenë se sipas Kushtetutës e drejta evropiane ka përparësi ndaj ligjeve italiane, Gjykata e Apelit nuk e vleftësoi paraburgimin.

Vendimet e mëparshme për mosvleftësimin e ndalimit të emigrantëve në Shqipëri kishin shkaktuar protesta të shumta nga qeveria Meloni, e cila kishte akuzuar gjyqtarët se kishin vendosur sipas kritereve politike dhe jo ligjore dhe kishin tentuar të merrnin masa.

Deri në dhjetor, në fakt, vendimi për paraburgimin ishte në dorën e gjykatave, pra organit që merret me shkallën e parë të gjykimit, por qeveria kishte vendosur t’i caktonte juridiksionin Gjykatave të Apelit (të cilat merren me shkallën e dytë të gjykimit).

Emigrantët e sjellë në Shqipëri ditët e fundit nga anija e marinës italiane “Cassiopea” ishin në fakt 49. Megjithatë, 6 prej tyre ishin kthyer në Itali, pasi nuk plotësonin kërkesat e qeverisë për ndalimin në Shqipëri.

Gjatë procedurave të identifikimit dhe ekzaminimeve mjekësore në pikën e Shëngjinit, në bregdetin shqiptar, 4 prej tyre janë konstatuar të mitur, ndërsa dy të rritur janë konstatuar “të pambrojtur”.

Vetëm të rriturit meshkuj, të moshës, të cilët nuk janë të cenueshëm (për shembull për arsye mjekësore) dhe që vijnë nga të ashtuquajturat vende të sigurta mund të dërgohen në qendrat në Shqipëri për të pritur rezultatin e kërkesës së tyre për azil.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë