Njerez

Ndahet nga jeta kryepeshkopi Anastas. Prej 3 janarit ishte i shtruar në një spital në Athinë

Nga Gazeta Si- Ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos. Lajmin e dha vetë Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit”, thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse.

Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit (në 7:30 të orës tonë) në moshën 95-vjeçare, në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë për më shumë se 33 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë