Emocionet sa vijnë e shtohen me afrimin e edicionit jubilar 2025 në Formula 1 – por përpara startit në Australi më 14-16 Mars, ka disa data të tjera të rëndësishmë këtë prag-sezon. Tradicionalisht kjo periudhë iu shërben skuadrave për prezantimin e makinave të reja. Por FIA ka vendosur që për të parën herë skuadrat të bëjnë një shfaqje unike “The O2 Arena” në Londër.
14 Shkurt – Prezantimi i Williams
Anglezët e Williams konfirmuan se do të kenë një prezantim të parë të FW47 në ditën e Shën Valentinit në Silverstone, ku monoposti do të jetë njëngjyrësh, pasi ngjyrat zyrtare do të prezantohen në eventin e FIA-s, katër ditë më vonë.
18 Shkurt – F1 prezanton edicionin e 75
Për të parën herë në historinë e sportit, skuadrat dhe pilotët do të mblidhen në Londër për një event unik në “The O2 Arena” që do të celebrojë 75 vjetorin e kampionatit. 10 skuadra, 20 pilotë, 10 “team principals” – do të prezantojnë makinat për edicionin 2025.
19 Shkurt – Ferrari prezanton makinën
Një ditë pas mbrëmjes londineze, Ferrari do të shfaqë makinën e vitit 2025 në Fiorano ku Lewis Hamilton do të debutojë me testimet në Maranello. Fred Vasseur konfirmon se makina e re do të ndizet por nuk ka sqaruar nëse Hamilton apo Leclerc do të jenë në timon.
26-28 Shkurt – Testet zyrtare të sezonit
Makinat do të zbresin në “Bahrain International Circuit” në Sakhir, Bahrain ku do të provojnë për 3 ditë me rradhë. Testime që do t’iu lejojnë skuadrave të provojnë pjesët e reja nëse janë apo jo të gati për sezonin që i pret. Dhe pas merkatos së pilotëve, vetëm 2 nga 10 skuadrat kanë të njëjtin formacion – ndërsa të tjerat kanë edhe këtë element për të kolauduar.
14-16 Mars – Fillon sezoni i ri
Pas prezantimit të makinave dhe përfundimit të testimeve, vëmendja do të përqëndrohet në garën e parë. “Australian Grand Prix” në “Albert Park Grand Prix Circuit” në Melbourne do të shënojë startin e sezonit të dytë me 24 gara në kalendar, gjithçka nga 14-16 Mars 2025!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.