Nga Gazeta ‘SI’ – Karuseli i Donald Trump me tarifat po trazon stomakun e ekonomisë globale.
Në ditën e tij të parë të punës, ai mori masa të paparashikuara; në vend që të vendoste tarifat e rënda për vendet e tjera, lëshoi një memorandum presidencial për të rishikuar praktikat e padrejta të tregtisë. Duket kjo një nisje e llogaritur e Trump, të paktën në fronti proteksionist.
Trump urdhëroi departamentet e Tregtisë dhe Thesarit për të hetojë rreziqet ekonomike dhe të sigurisë kombëtare të deficiteve të mëdha tregtare “dhe të rekomandojë masat e duhura, të tilla si një tarifë shtesë globale, ose politika të tjera, për të korrigjuar deficite të tilla”.
Investitorët dhe kapitalet e huaja ishin përgatitur për një masë tarifash që mund të prishte marrëveshjet e vjetra tregtare, por memorandumi tregtar i Trump në thelb kërkonte më shumë kërkime që mund të mbështesin masat e ardhshme tarifore.
Trump e shtyu, por nuk e mohoi vendosjen e një tarife universale për importet, duke thënë se “mundet, por ende s’jemi gati”.
Ai tha se po mendonte për një taksë 25% mbi importet kanadeze dhe meksikane, si dy vende që po fusin në SHBA, ilegalisht, njerëz dh fenantol. Trump tha gjithashtu se donte të ndryshonte deficitin tregtar të SHBA-së me Bashkimin Europian, qoftë me tarifa ose më shumë eksporte të energjisë. Presidenti i sapobetuar kërcënoi se do të aplikonte tarifa mbi importet kineze deri në 100% nëse Pekini nuk arrinte të binte dakord për një marrëveshje për t’i shitur të paktën 50% të aplikacionit TikTok një kompanie amerikane dhe tarifa për produktet e BE-së, nëse nuk blinin më shumë naftë amerikane.
Tarifat ishin tema gjatë gjithë ditës së inaugurimit, me Trump duke thënë se masa të tilla do të gjeneronin “sasi masive” të të ardhurave për SHBA-në, ndërsa administrata e tij punon për të rindërtuar industrinë amerikane. Ai tha se ato do të mblidhen nga një agjenci e re e quajtur Shërbimi i të Ardhurave të Jashtme.
Shtyrja e tarifave përshtatet me instiktin e presidentit si një biznesmen. Ai mendon se tarifat janë të mira për ekonominë amerikane, por beson se mund të penalizojë dhe bisedimet e tij me shtetet e tjera. Sipas ekspertëve, Trump po lë hapësirë për negociata për vendosjen e tarifave, prandaj nuk i shpalli ato që ditën e parë.
Një reagim ka ardhur nga fronti europian. Gjatë fjalës së saj në forumin e Davos, Ursula von der Leyen, presidentet e Komisionit Europain tha se BE “do t’i shkojë deri në fund garës” për tregti globale. Ajo shtoi se BE dëshiron një bashkëpunim më të ngushtë me SHBA-në. “Prioriteti ynë i parë do të jetë të angazhohemi herët, të diskutojmë interesat e përbashkëta dhe të jemi gati për të negociuar. Ne do të jemi pragmatikë, por do t’i qëndrojmë gjithmonë parimeve tona.”
Zv.kryeministri kinez, Ding Xuexiang, reagoi po ashtu nga Davos, duke thënë se “lufta tregtare” nuk nxjerr fitues, duke vazhduar me narrativën e presidentit Xi Jinping, që e quan proteksionizmin një dhomë të errët.
Anëtarë të qeverisë kanadeze janë shprehur se po “përveshin mëngët” për të mbrojtur interesat e Kanadasë që është e varur nga tregtia më SHBA-në, pasi edhe pse Trump i shtyu, ato janë ende aty.
E hëna vërtetoi se ndonjëherë, edhe presidentët mund të dalin jashtë skenarit.
Kampi i tij ka diskutuar gjithashtu një plan tarifash të graduara që rriten me rreth 2% deri në 5% në muaj për partnerët tregtarë. Shumë ekonomistë kishin frikë se një politikë e tillë tregtare proteksioniste mund ta bënte prodhimin e mallrave më të shtrenjtë dhe të rriste çmimet e konsumit, ashtu si bota rimëkëmbet nga rritja e inflacionit të epokës së pandemisë.
Gjithsesi, tarifat do të vendosen.
Marrë nga:The Economist/Financial Times/Bloomberg
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.