Teknologji dhe Inovacion

Instagram do t’u tregojë miqve tuaj se çfarë videosh keni pëlqyer

Instagram po rikthen një nga veçoritë e tij që e ka hequr prej kohësh, tashmë të ripunuar për epokën e videove me forma të shkurtra. Një kategori e re në Reels do të shfaqë video që miqtë e një përdoruesi i kanë pëlqyer ose kanë shtuar komente, njoftoi drejtuesi i Instagram, Adam Mosseri.

Përdoruesit do të jenë në gjendje të shohin se cilët miq kanë pëlqyer një video, njësoj si “activity feed” në Instagram që u eleminua nga platforma në 2019.

“Ne duam që Instagram të jetë jo vetëm një vend ku konsumoni përmbajtje argëtuese, por një vend ku lidheni me miqtë mbi atë përmbajtje”, thotë Mosseri. Në versionin e ri, do të keni mundësi të shihni se cilët miq kanë pëlqyer një postim dhe cilët kanë lënë një “shënim” të përkohshëm në një Reel.

Platforma të tjera si X kanë shkuar në rrugën e kundërt duke fshehur postimet e pëlqyera të përdoruesve, pjesërisht sepse njerëzit vazhdonin të ‘kapeshin’ duke pëlqyer gjëra të sikletshme. Meta nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve nëse përdoruesit mund të tërhiqen nga shfaqja e aktivitetit të tyre në versionin e ri të Reels.

Reels-at janë një kopje e videove në TikTok, edhe pse përdoruesit kanë thënë shumë herë se ‘atmosfera’ në Reels-at e Instagramit nuk është njësoj si në TikTok.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë