Gazeta Si – Kreu i SPAK, Altin Dumani iu përgjigj interesimit të gazetarëve në një takim informal mbi disa nga çështjet me të nxehta të drejtësisë.
Sa i përket pezullimit të hetimeve ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, Dumani thekson se ndaj tij nuk u gjet asnjë provë, ndryshe nga pretendimet e opozitës dhe Gazment Bardhit, të cilët e akuzonin si të përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë të zbuluar në vitin 2015.
“Përgjigja është ajo që keni marrë. SPAK ka kryer hetimet dhe ka vendosur pezullim për mos zbulimin autorëve. U hetua edhe përfshirja e Ols Ramës, nuk u gjet provë. U pezulluan hetimet për shkak se nuk është regjistruar emri i tij si person në hetim. Në rast se do ishte në hetim, do kishte pushim të çështjes”, – tha Dumani.
Ndërsa në lidhje me ndryshimin e masës së sigurisë nga Apeli i GJKKO-së për ish-kryeministrin Sali Berisha për aferën “Partizani”, por dhe për hetimet ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Dumani theksoi se SPAK ka respektuar vendimin e gjykatave.
Pyetjes së gazetarëve, se si ndihet si jurist për caktimin e masës “detyrim paraqitje” për Berishën nga Apeli i GJKKO-së dhe se a mund të përsëritet ky skenar edhe për Ilir Metën, Dumani iu përgjigj.
“Nuk kemi ndjeshmëri. Respektojmë vendimin e gjykatave. Jemi zbatues të ligjit. Kur nuk kënaqemi, ushtrojmë të drejtën e ankimimit. Për Ilir Metën, hetimi po vijon. Kërkesat e SPAK janë gjetur të drejta nga shkallët e gjyqësorit dhe Gjykata Kushtetuese i dha fund të gjithave”, – tha Dumani, duke iu referuar vendimit që i jepte të drejtë Prokurorisë së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në shtëpi” të vendosur në 31 dhjetor 2023.
Pikërisht në 17 janar, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e kreut të PD, Sali Berisha, i cili kundështoi si të paligjshme masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, që iu caktua rreth një vit më parë për aferën “Partizani”.
Ish-kryeministri ngriti pretendime në lidhje me masën e vendosur nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, të cilat sipas Kushtetueses janë të pabazuara. Në vendimin e Kushtetueses, theksohet se kërkesa e Berishës “është e papajtueshme me Kushtetutën”.
Dumani ndaloi edhe të çështja “Toyota Auris”, ku paralajmëroi se do të mbajnë përgjegjësi penale të gjithë ata persona që nxjerrin të dhëna të dosjes.
“Dosja ‘Toyota Auris do ketë përgjegjësi penale për personat që nxjerrin të dhëna, duke qenë se ka një vendim për ndalim publikimi. Patjetër, të gjithë janë të barabartë”, – shtoi kryeprokurori i SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.