Gazeta Si – Gjashtë persona janë arrestuar në një operacion policor në Pogradec, ku morën pjesë 200 forca speciale të RENEA-s dhe FNSH.
Mësohet se kontrollet janë zhvilluar pas një procedimi të nisur një javë më parë në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 11 janar kur një person tentoi të vriste me mjet prerës një tjetër.
Ndërkohë janë sekuestruar armë zjarri, armë gjahu, armë të ftohta, kokainë, shuma parash dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Kontrolle janë ushtruar në dhjetëra ambiente, mes tyre edhe në shtëpinë e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Erjon Llapushi, i akuzuar për vrasjen e një kamerieri në Elbasan në vitin 2021. Ky i fundit nuk është gjetur në banesë, ndërsa RENEA ushtroi kontrolle të imtësishme në shtëpinë e tij.
I shumëkërkuari Erjon Llapushi, sipas burimeve, nuk është gjetur për t’u arrestuar në shtëpinë e tij.
Bëhet me dije se janë arrestuar 6 persona, duke goditur raste të armëmbajtjes pa leje, lëndëve narkotike dhe persona në kërkim.
Të ndaluarit janë Fation Bono, Eris Çekani, Denis Xhemollari, Arbri Berberi, Aldi Hoxha dhe Enxhi Xhemollari.
Kontroll u ushtrua në banesat e 28 personave, teksa u sekuestruan armë gjahu, armë të ftohta, lëndë narkotike, para dhe sende të kundraligjshme.
Sa i përket të arrestuarve ata janë:
Fation Bono, 35 vjeç, lindur dhe banues Vërdovë Pogradec. Ai u arrestua për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabande” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij i janë gjetur një shumë monetare prej 6 015 900 lek, 22520 Euro, 3200 Dinarë maqedonas, 2675 Dollarë amerikane të cilat dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria e tij kriminale. Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar i janë gjetur në ambient magazine ne banesën e tij qindra litra naftë e dyshuar kontrabande nga Maqedonia e Veriut dhe një automjet i markës Land Rover, vit prodhimi 2018.
Eris Çekani, 41 vjeç lindur dhe banues në Pogradec. Ai akuzohet për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armève, armëve shpërthyese dhe municionit”. Nga kontrolli i ushtruar ne banesën e tij i janë gjetur 3 armë të ftohta (thika) njëra prej tyre, thikë stilolaps si dhe fishekë model 56.
Denis Xhemollari, 33 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, pasi nga kontrolli i ushtruar i është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike e llojit (kokainë).
Arbri Berberi, 47 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” , pasi nga kontrolli i ushtruar i është gjetur një armë e ftohtë (shufër hekuri me ngjyre të errët me doreze të gomuari të policisë).
Aldi Hoxha, 34 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec. Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armëve shpërthyese dhe municionit” “Prodhimi , mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij i janë gjetur 2 armë gjahu dhe 1 pistoletë pa leje përkatëse, një sasi municioni luftarak, 2 armë të ftohta të llojit thika flutur si dhe një shumë monetare prej 5 043 560 Lek, 31 810 Euro, 22 915 Dollarë amerikane, 685 700 Dinarë maqedonas, 2920 Dollarë kanadeze, 1550 Franga zvicerane, 800 Dollarë australiane, 620 Paund.
Enxhi Xhemollari, 33 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” pasi nga kontrolli i ushtruar në dy aparatet e tij celulare i janë gjetur llogari (accounte) në emrin për vendosjen e basteve sportive për shtetas të ndryshëm me qëllim përfitimi si dhe një shume monetare prej 200 000 Lekë të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari.
Kush është i shumëkërkuari Erjon Llapushi?
Llapushi është një personazh i skeduar për aktivitet kriminal, dhunë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore. Tetorin e vitit 2021, u shpall në kërkim, pasi dhunoi për vdekje një kamarier në Elbasan. Ai dhunoi 50-vjeçarin Gazmend Kurmaku, pasi i tha se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar.
Në sherr e sipër, 50-vjeçari u përplas me kokë në një pjesë betoni, duke përfunduar në vdekje klinike. Kurmaku ndërroi jetë më 7 tetor të vitit 2021, në Spitalin e Traumës ku u transferua natën e ngjarjes. Më 17 korrik të 2024, Prokuroria e Elbasanit kërkoi 20 vite burg në total për veprën penale “vrasje me dashje”.
Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Luan Dulellari nuk bëri asnjë lëvizje për të ndaluar shokun e tij apo për të mbrojtur viktimën, por u arratis.
Erjon Llapushi akuzohet për veprën penale “vrasje me dashje” dhe Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar 20 vite burg në total për të.
Ai renditet në listën e 5 personave që Policia e Shtetit i konsideron si të kërkuarit më të rrezikshëm. Tetorin e vitit 2021, ai u shpall në kërkim, pasi dhunoi për vdekje një kamarier në Elbasan. Llapushi dhunoi 50-vjeçarin Gazmend Kurmaku, pasi i tha se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar.
Më 5 maj të vitit 2020, Operacioni Forca e Ligjit (OFL ) në aksionin e shpërndarjes së formularit të pasurisë në Pogradec kërkonte deklarim edhe nga Llapushi. Në atë periudhë ai ndodhej në qelitë e paraburgimit, pasi dyshohej se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që përmes shantazhit dhe dhunës, detyronin biznesmenët e Pogradecit të dhuronin aksionet e tyre.
Erjon Llapushi rezulton të ketë tjetërsuar një pjesë të aksioneve të bizneseve duke ua dhuruar më pas personave të tretë, gjithashtu me precedentë penalë. Në dëshmitë e zbardhura të aksionarëve të kompanive, iu shpjegohej hetuesve brutaliteti me të cilin vepronin anëtarët e bandës, me qëllim që ata të firmosnin kontratat për dhurimin e aksioneve.
Në dhjetor të 2018, dy vëllezër biznesmenë kanë kërkuar ndihmë nga Policia, çka çoi më pas edhe në arrestimin e Llapushit dy muaj më vonë. Ndërkohë, më 29 maj 2021 ai ra në pranga në kuadër të operacionit “Perimetri” pasi u kap duke transportuar 24 emigrantë të paligjshëm në zonën e Pogradecit.
Nuk u mësua asnjëherë se si Erjon Llapushi rifitoi lirinë brenda pak muajsh nga arrestimi. Në njoftimin e Policisë për atë rast, thuhej se Llapushi ishte dënuar edhe për plagosje në vitin 2008, ngjarje e ndodhur në një lokal në Pogradec.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.