Ngjarje

Vrasja e Xhemal Metës në Zall Bastar / Goditi me çekiç fqinjin dhe i mori 200 mijë lekë në xhep, arrestohet Isuf Hasa

Gazeta Si – Një 64-vjeçar, Isuf Hasa, është autori i dyshuar i vrasjes së fqinjit të tij 81-vjeçar, Xhemal Meta në Zall-Bastar të Tiranës në 13 janar të këtij viti, i cili është arrestuar këtë të mërkurë.

Në një deklaratë për mediat, Policia e Tiranës bën të ditur se Hasa, fqinj me viktimën ka shkuar me 13 janar rreth orës 09:00 në banesën e të moshuarit dhe për motive të dobëta e ka goditur me çekiç pas koke.

Pasi ka kryer vrasjen, ai i ka marrë dhe shumën monetare që 81-vjeçari ka pasur në xhep dhe më pas është larguar. Nga kontrollet që policia ka ushtruar në banesën e autorit të vrasjes, janë gjetur 200 mijë lekë të reja.

Policia ka ushtruar kontrolle dhe në banesën e vajzës së Isuf Hasës, ku kanë gjetur çekiçin me të cilin autori ka kryer vrasjen e Xhemal Metës.

“Lindi dyshimi se është vrarë me sende të forta, vijoi puna për zbardhjen e rrethana për këtë ngjarje. Janë kryer një sërë veproimesh dhe falë punës hetimore brenda 48 orëve, është bërë e mundur kapja e autorit të dyshuar Në 13 janar, Isuf Hasa ka shkuar në banesën e tij dhe e ka qëlluar me çekiç, dyshohet se autori pasi e ka goditur i ka marrë edhe lekët që viktima ka pasur në xhep dhe është larguar, është sekuestruar një sasi lekësh prej 200 mijë lekë. Në banesën e vajzës së tij u gjet çekiçi që ai ka kryer vrasjen”, – tha Drejtori i Policiës së Tiranës, Elton Alushi.

Dy ditë më parë në Njësinë Administrative Zall-Bastar, fshati Shëngjin, i moshuari Xhemal Meta u gjet i pajetë në oborrin e shtëpisë.

Pas kryerjes së ekzaminimit mjeko-ligjor, ka rezultuar se 81-vjeçari kishte dëmtime në pjesën e pasme të kokës. 

81-vjeçari jetonte i vetëm në fshat, ndërsa familjarët e tij jetojnë në kryeqytet. Këta të fundit kanë deklaruar se i moshuari nuk kishte konflikte me askënd.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë