Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) sapo ka publikuar Anketën Kombëtare për Shqipërinë, ku spikat një mbështetje e lartë e qytetarëve për SPAK-un, i cili vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm në vend. Shumica e të anketuarve presin më shumë hetime dhe ndëshkime të politikanëve të korruptuar, për shkak se korrupsioni është për ta një ndër shqetësimet kryesore.
Ata pohuan se nuk do të mbështesin në zgjedhje ato parti, që përkrahin ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut. Drejtori i IRI-t për Shqipërinë, John Fluharty, tha për Zërin e Amerikës se qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit për të përmirësuar jetën e tyre. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit rikthen besimin e njerëzve tek demokracia.
SPAK-u
Anketa Kombëtare e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) gjeti se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është sot institucioni më i besueshëm në Shqipëri (76%), e më pas renditen policia, ushtria dhe institucionet fetare, ndërsa institucionet më pak të besueshme janë Kuvendi dhe partitë politike.
Studimi mbështetet në përgjigjet e një mijë e dyqind qytetarëve të moshave nga 18 vjeç deri mbi 56 vjeç.
Pjesa më e madhe e të anketuarve (59%) mendojnë se reforma në sistemin e drejtësisë është e efektshme, ndërsa (70%) e tyre mendojnë se efektshmëria e drejtësisë u rrit pas vetingut të gjyqtarëve dhe ngritjes së SPAK-ut.
Afro gjysma e të anketuarve (47%) mendojnë se krijimi i SPAK-ut është rezultati më i mirë i reformës në drejtësi, më pas vijnë vettingu (27%) dhe (13%) zbehja e ndikimit politik mbi gjykatat.
Pas kryerjes së reformës në drejtësi qytetarët mendojnë se më të rëndësishmet për t’u bërë tani janë luftimi i korrupsionit, hetimi dhe ndëshkimi i politikanëve, si dhe pavarësia nga ndikimi qeveritar.
Ata i besojnë më shumë SHBA-ve (46%) dhe BE-së (37%) për monitorimin e institucioneve të reja të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe gjykatat, disa herë më pak kryeministrit (7%), dhe vetëm 1 për qind i besojnë Kuvendit.
Më shumë se gjysma e të anketuarve (51%) nga të gjithë grupmoshat pohuan se nuk do ta përkrahin në zgjedhje asnjë parti, që mbështet ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut.
Afro 40 për qind e qytetarëve pohuan se vlerësimi i tyre për SPAK-un do të përmirësohej, nëse SPAK heton politikanë, të cilët ata i kanë mbështetur në të kaluarën.
“Për të tretën herë në anketat tona SPAK-u është institucioni më i besuar në Shqipëri, – tha për Zërin Amerikës, John Fluharty, drejtori i IRI-t për Shqipërinë. – Një numër i madh i qytetarëve pohuan që nëse SPAK-u do të hetonte një kandidat apo parti, që ata kanë mbështetur më parë, kjo do të rriste mbështetjen e tyre për SPAK-un. Akoma më domethënëse është gjetja që nëse njerëzit zbulojnë se kandidati ose partia mbështet kufizimin e SPAK-ut për të bërë detyrën e tij, ata do të kenë më pak gjasa të mbështesin atë parti apo kandidat. Kjo do të thotë se qytetarët kanë shpresë. Ata shohin shpresë në punën e SPAK-ut, shohin shpresë në luftimin e korrupsionit, që më parë nuk e kishin. Kjo është vërtet domethënëse”, tha zoti Fluharty.
Korrupsioni
Nga ana tjetër, korrupsioni mbetet një ndër shqetësimet kryesore në Shqipëri, teksa 71 për qind e të anketuarve e cilësojnë këtë dukuri si një problem serioz.
Pjesa më e madhe besojnë që korrupsioni është më i përhapur në shërbimet publike si doktorët, mësuesit dhe policët, e më pas ata renditin kryeministrin me kabinetin qeveritar, drejtësinë, drejtuesit e partive politike e të biznesit si dhe zyrtarët vendorë.
Pjesa më e madhe të anketuarve shprehen se problemet më të rëndësishme që përballet vendi aktualisht janë ekonomia me çmimet e larta dhe kostot e jetesës, papunësia dhe korrupsioni, pasuar nga shëndetësia, kriminaliteti dhe migrimi.
Krahasuar me një vit më parë, shqetësimi për ekonominë ka rënë me 11 pikë, por shqetësimi për korrupsionin është rritur me 2 pikë.
Pjesa dërrmuese e të anketuarve pohuan që nëse zgjedhjet mbahen sot, çështjet përcaktuese për votën e tyre janë pensionet, ekonomia dhe antikorrupsioni.
Ata besojnë se arritjet më të rëndësishme të qeverisë aktuale janë infrastruktura, integrimi europian dhe reforma në drejtësi, por tek dështimet më të mëdha të qeverisë qytetarët renditën pensionet, ekonominë, emigrimin dhe korrupsionin.
Qytetarët e anketuar mendojnë se përparësitë kryesore që qeveria duhet të trajtojë janë ekonomia, pagat dhe pensionet, punësimi, shëndetësia dhe lufta kundër korrupsionit.
“Korrupsioni nuk është vetëm një çështje paligjshmërie, por është një çështje ekonomike, sepse ai ndikon në aftësinë e njerëzve për të pasur punë, në koston e jetesës, si dhe në meritokraci, -thotë zoti Fluharty i IRI-t. – Njerëzit e cilësojnë korrupsionin si çështje parësore, por nuk mund ta shkëputin nga çështjet e SPAK-ut, sepse ata po dëmtohen ekonomikisht, dhe e shohin korrupsionin si një nga shkaktarët e dhimbjeve të tyre, rritjes së kostos së jetesës, çmimeve të larta të ushqimeve. Njerëzit pohuan në sondazh që gjërat do të përmirësohen, pasi korrupsioni po trajtohet. Fokusimi kundër korrupsionit është si një Reset Button për vendin, një mundësi për të rivendosur në një kurs të ri gjërat e vendit drejt anëtarësimit në BE, ndryshe sa ndodhën në tridhjetë vitet e fundit”, theksoi drejtori i IRI-t.
Demokracia
Nga Anketa e Institutit Republikan doli po ashtu që më pak se gjysma e të anketuarve (49%) janë të kënaqur me mënyrën si po zhvillohet demokracia në vend, ndërsa gjysma tjetër shprehen të pakënaqur dhe shumë të pakënaqur.
Pjesa dërrmuese e qytetarëve të anketuar besojnë se demokracia është forma më e mirë e mundshme e qeverisjes së vendit.
Por vetëm një e treta e tyre mendojnë se vendi po qeveriset në interes të shumicës së popullatës, ndërsa afro dy të tretat (62%) shprehen se qeverisja punon për interesat e disa grupeve.
Ky perceptim është më shumë i përhapur tek të anketuarit nga 18 deri 35 vjeçarë (72%), por kjo është një përgjigje e qëndrueshme edhe në moshat e tjera nga 36 deri mbi 56 vjeç e lart (59%).
Të pyetur nëse të rinjtë e sotëm kanë një të ardhme të mirë në Shqipëri, më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar (57%) përgjigjen negativisht, kundrejt 40 për qind të atyre që shprehen pro një të ardhme të mirë.
Krahasuar me një vit më parë, përgjigja se rinia nuk ka një të ardhme të mirë në atdhe sivjet është përkeqësuar me 3 pikë. Shumica e të anketuarve në këtë përgjigje negative janë të rinj, por po ashtu janë shprehur njëlloj edhe shumë të anketuar nga të gjithë grupmoshat.
“Gjetjet kryesore të sondazhit, – thotë drejtuesi i IRI-t, John Fluharty, – janë se qytetarët shqiptarë vazhdojnë të kenë shqetësime për ecurinë e demokracisë shqiptare, por ata e duan idenë e demokracisë dhe duan të shohin që të hidhen hapa gjigantë përpara. Ata e shohin SPAK-un si një mënyrë për të ndihmuar, që kjo të ndodhë. Qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit, sepse ata e kuptojnë që e gjithë kjo lidhet me përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Lufta kundër korrupsionit është një mënyrë e mirë për të rikthyer besimin e njerëzve tek demokracia, sepse ligji dhe barazia para ligjit është shtylla e demokracisë”, – tha zoti Fluharty.
Zgjedhjet
Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, qytetarët shprehin masivisht gatishmëri të lartë për të votuar, ndonëse janë ndarë baras sa i takon pyetjes nëse njerëzit e thjeshtë mund të ndikojnë në vendimmarrjen e vendit.
Afro dy të tretat e të anketuarve (62%) thonë se zgjedhjet apo ofertat në politikën shqiptare janë shumë të kufizuara dhe se forcat e reja politike duhet të ofrojnë alternativa të tjera në zgjedhjet e ardhshme.
Ky mendim mbizotëron në të gjithë grupmoshat. Kjo përgjigje e re vjen tani nga të anketuar, mbi 90 për qind e të cilëve pohuan se në zgjedhjet e kaluara kanë votuar për njërën nga dy a tre partitë më të mëdha.
Aktualisht një e treta e të anketuarve nga të gjithë grupmoshat shprehin pëlqim për partitë e reja, që janë krijuar së fundi. Anketa zbuloi po ashtu se, krahas katër partive më të hershme (PS, PD, PSD, PL), qytetarët shprehin besim edhe në katër parti të reja (Shqipëria Bëhet, Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Nisma).
Drejtori i IRI-it, Fluharty, thekson që partitë politike janë në fund të tabelës së besimit nga qytetarët dhe ky është një mesazh për to.
“Sondazhi, – thotë zoti Fluharty, – nuk i sheh zgjedhjet si një garë kuajsh kokë më kokë; se kush fiton ato, nuk është aq e rëndësishme, sa biseda se kujt i përkasin partitë politike: A i përkasin ato një grupi njerëzish, që kanë të njëjtat pikëpamje, apo që besojnë tek një individ. Ka një hendek midis në të kuptuarit thelbësor për qytetarët se cilës parti i përkasin, çfarë përfaqësojnë ato, çfarë ideologjie dhe programesh kanë, sepse kur njerëzit qëndrojnë të lidhur me individë të veçantë, gjithmonë ka një pyetje për motivin e kësaj”, shtoi drejtori i IRI-t për Shqipërinë.
Në anketën e IRI-t vetëm një pakicë (16%) tha se nuk ka gjasa që të votojnë në maj, për shkak se sipas tyre, vota dhe zgjedhjet nuk kanë rëndësi, se asnjë kandidat apo parti nuk i frymëzon dhe nuk i përfaqëson.
Shumica e të anketuarve (58%) besojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira, përballë 40 për qind, që mendojnë të kundërtën.
Pjesa dërrmuese e të anketuarve që pritet të votojnë për PS-në (90%) mendojnë që zgjedhjet e majit do të jenë të lira, ndërsa tre të katërtat e atyre që pritet të votojnë PD-në shprehen se zgjedhjet nuk do të jenë të lira.
Pjesa më e madhe e të anketuarve (58%) besojnë se KQZ-ja është e aftë të organizojë dhe të mbikëqyrë zgjedhjet, por pjesa tjetër (41%) kanë pak ose aspak besim tek KQZ-ja.
Anketimi zbuloi një shqetësim në rritje të qytetarëve për dhunë të mundshme në zgjedhje, sa afro dyfishi i një viti më parë. Një vit më parë këtë shqetësim e shprehën 27 për qind të qytetarëve, ndërsa sot ata janë afro dyfishi (45%). Pjesa dërrmuese e të anketuarve që e ngrejnë këtë shqetësim mbi dhunën e mundshme në zgjedhje i përkasin asaj pjese, që mendohet se voton për PD-në.
Sa i takon mbështetjes së politikanëve, në sondazh spikatin diferencat e ndjeshme midis kryeministrit socialist Edi Rama (35%), përballë kryetarit të PD-së Sali Berisha (14 për qind), por në skajin tjetër të tabelës besimi për figura të tjera është po a q i lartë (26%), sa edhe mosbesimi i plotë tek asnjë politikan (28%).
Mbi 60 për qind e të anketuarve besojnë dhe shpresojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë, ndërsa pjesa tjetër (afro 40%) nuk kanë shumë shpresë për një të ardhme më të mirë, por pohojnë madje se kanë frikë, shqetësim e pasiguri për të ardhmen dhe nuk besojnë tek ndonjë përmirësim për këtë.
Më shumë se gjysma e të anketuarve nga IRI (52%) pohuan se vendi po shkon në drejtimin e duhur, një shifër kjo me 6 pikë në rënie krahasuar me një vit më parë (58%). Megjithatë qeveria Rama gëzon një aprovim të përgjithshëm nga më shumë se gjysma e të anketuarve (58%), edhe për sa i takon efektshmërisë (55%).
Shumica dërrmuese e qytetarëve (74%) pohuan se janë të informuar mjaftueshëm mbi zgjedhjet e ardhshme, por duan më shumë informacion mbi programet partiake dhe kandidatët e tyre.
Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese (88%) e të anketuarve thanë se nuk kanë parë gjatë 12 muajve të fundit ndonjë aktivist partiak në zonën e tyre./VOA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.