Drejtësia

Hetimet për tenderët e rrugëve, kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli dëshmon 2 orë në SPAK

Gazeta Si – Drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli dëshmoi për rreth 2 orë në Prokurorinë e Posaçme këtë të martë si person që dyshohet se ka dijeni për hetimet. Gjyli hyri në SPAK në orën 10:00 dhe pasi doli prej andej në 12:00, nuk dha sqarime për mediat.

Sipas burimeve, bëhet me dije se ai është thirrur për të dëshmuar mbi procedurat e ndjekura në tenderët e rrugëve, gjatë kohës që ka qenë numri 2 i ARRSH-së, kur drejtor ishte Evis Berberi.

Gjyli mori detyrën si drejtor i ARRSH pas largimit të Berberit, i cili është arrestuar me vendim gjykate, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për akuzën e “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”.

Nga hetimet, ka rezultuar se Berberi dyshohet se është i përfshirë në 6 tenderë që SPAK pretendon se janë dhënë në mënyrë abuzive, 3 në kohën që ishte drejtor i Eficencës së Energjisë dhe 3 si drejtor i ARRSH. Totali i tenderëve kap një vlerë prej rreth 2.2 milionë euro.

Përveç Berberit në pranga janë vënë edhe Valter Begaj dhe Ervis Lami, administratorë të kompanisë DAAM, të cilët dyshohet se kanë përfituar tenderë në mënyrë abuzive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë