Rend dhe Ligj

U qëllua nga i dashuri i bashkëshortes, Policia zbardh dinamikën: Ishin në proces divorci. Në kërkim autori dhe 29-vjeçarja

Nga Gazeta Si- Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në 5 janar në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Zogut të Zi” në Fier, ku një 40-vjeçar u qëllua me armë zjarri. Policia e Fierit ka zbardhur dinamikën e rastit duke theksuar se G.H, 40 vjeç është qëlluar nga 26-vjeçari, K. B., i dashuri i bashkëshortes së 40-vjeçarit.

Blutë e Fierit bëjnë të ditur se i plagosuri ishte në proces divorci me bashkëshorten e tij, 29-vjeçaren, M.H. E reja dhe autori i plagosjes janë shpallur në kërkim, ndërsa Gjykata e Fierit ka caktuar për ta masën e sigurisë “arrest në burg”, në mungesë.

Ndërkohë, 40-vjeçari ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën, për shkak të plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Ka qenë djali i çiftit, vetëm 10 vjeç ai që ka telefonuar të ëmën dhe i ka kërkuar që ta marrë.

Duke qenë që çifti ishin në proces divorci, djali rrinte gjatë ditës me të atin dhe në mbrëmje shkonte tek nëna.

Telefonata ka qenë e tensionuar, dhe më pas 29-vjeçarja ka shkuar së bashku me të dashurin në lokalin ku gjendej 40-vjeçari.

25-vjeçari ka goditur bashkëshortin e të dashurës. Ngjarja ka qenë e gjitha në sy të djalit të tyre të mitur. Më pas të dy janë arratisur në drejtim të paditur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë