Gazeta Si – GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurimit “arrest me burg” për Dritan Rexhepin, i ashtuquajturi “baroni i drogës”, i cili u ekstradua nga Turqia në Shqipëri para dy ditësh.
Përmes avokates së tij, Johana Qeleshi, 44 vjeçari, i njohur dhe me emrin Gramos Rexhepi, kërkoi lirimin nga qelia me pretendimin se mbahet në arrest pa asnjë provë.
Pasi u konfirmua masa e arrestit, ndaj tij nisi seanca gjyqësore për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ku Rexhepi akuzohet si porositës i krimit.
Dritan Rexhepi, pasi dha gjeneralitetet deklaroi se do të jetë vetë i pranishëm në çdo seancë për këtë çështje pavarësisht mbrojtjes me avokat.
Gjykata vendosi të shtyjë seancën për të lejuar Rexhepin të njihet me aktet e procesit të zhvilluar deri tani. Seanca e ardhshme do të zhvillohet më 24 Janar.
Rexhepi u ekstradua të mërkurën nga Turqia nën masa të rrepta sigurie. Nga Rinasi ai u dërgua nën shoqërimin e forcave RENEA pranë burgut 313 në Tiranë.
Për vënien e 45-vjeçarit përpara drejtësisë ishte e interesuar dhe Italia, e cila gjithashtu kishte kërkuar ekstradimin e tij.
Në vendin fqinj, Rexhepi është dënuar në 2010 me 16 vite burg për trafik droge, nga i cili kishte kryer vetëm 3 vite pasi u arratis nga burgu i Firences.
Megjithatë akuzat e ngritura ndaj tij nga autoritetet shqiptare duket se kanë bindur palën turke për të aprovuar ekstradimin drejt vendit tonë.
Në Shqipëri Gramos Rexhepi është dënuar me 25 vite burg në vitin 2013, për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 1999 në një lokal në qytetin e Krujës.
Në atë ngjarje 44-vjeçari në bashkëpunim me një person tjetër ekzekutoi një punonjës policie dhe pronarin e lokalit ku efektivi ndodhej. Ndërkohë në 2015 ai është dënuar me 4 vite burg nga gjykata e Fierit për falsifikim.
Një tjetër krim i rëndë për të cilin Gramos Rexhepi është vënë në akuzë, është rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës në 2020, ai dyshohet si organizator i asaj ngjarje.
Sipas SPAK ai në bashkëpunim me Gentian Doçin kanë urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës pas dyshimeve se vëllai i këtij të fundit në 2019 i kishte vjedhur në Angli një konteiner me lëndë narkotike në pronësi të tyre.
Ai u shndërrua në një prej baronëve të karteleve të kokainës nga Amerika Latine. Në vitin 2014 Dritan Rexhepi u arrestua në Ekuador me 240 kg kokainë, por dyshohet se drejtonte nga qelia rrjetin e trafikut të kokainës për në Europë.
Në vitin 2020, Interpoli botoi disa fotografi të tij nga brenda burgut në Ekuador. Po atë vit rrjeti i tij u shkatërrua nga një operacion i Europol, ku u përfshi edhe policia shqiptare.
Rexhepi është arratisur nga burgjet e tre shteteve ndërsa kërkohej nga Belgjika, Holanda, Italia dhe së fundmi edhe Ekuadori. Dritan Rexhepi cilësohet nga autoritetet e drejtësisë së këtyre vendeve si “Eskobari i ri i drogës”.
Ai është një nga trafikantët më të mëdhenj të kokainës nga Ekuadori në disa shtete të Evropës. I shumëkërkuari u arrestua në Guajakil por mundi t’i shpëtonte burgut, duke u vendosur nën survejim me anë të një byzlylyku elektronik.
Ai u arrestua në nëntor 2023 në një vilë në Stamboll, teksa përdorte një pasaportë të falsifikuar kolumbiane dhe u ekstradua në 8 janar 2025 në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.