Gazeta Si – Një ditë pasi Erion Veliaj u mor në pyetje për 5 orë, SPAK njofton se ekzistojnë të dhëna konkrete për 4 akuza lidhur çështjen e korrupsionit ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme sqaron se ka regjistruar procedimin penal për veprën “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, pas kallëzimit të bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A.
“Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm”, sqaron SPAK për mediat.
SPAK thekson se deri në këtë fazë të hetimit, sipas provave të grumbulluara, përveç veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, ka të dhëna konkrete që lidhen edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
SPAK thotë se informacioni për referimin e veprës penale, mori shkas nga një kallëzim i bërë nga qytetari i vetëidentifikuar si Nesti Angoni.
Një ditë më parë, kreu i Bashkisë Tiranë ka dëshmuar në SPAK për mbi 5 orë. Erion Veliaj ka dhënë shpjegime para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, çështje cila drejtohet nga prokurori i SPAK, Olsi Dado.
Pasi doli nga Prokuroria, Veliaj nuk pranoi të flasë për mediat, por sqarimet i dha në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku deklaroi se është denoncuar nga një njeri anomin, që nuk ekziston.
Në pyetje për këto hetime, të hënën u mor edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa. Në 6 dhjetor, SPAK ushtroi kontroll personal ndaj Xoxës, ku i sekuestroi telefonin bashkëshortes së Veliajt.
Kontrolle u ushtruan gjithashtu edhe në disa ambiente në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj. Kontrollet dhe sekuestrimet u kundërshtuan prej tyre me argumentet se ishin të paligjshme, por ankimet u rrëzuan nga gjykata.
Njoftimi i SPAK:
Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojme: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.
Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.
Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



