Lajme

Dënohet inspektori i IKMT-së, PD e akuzoi për vrasjen e Hajdarit

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit burg përgjegjësin e ekzekutimeve të vendimeve në IKMT, Fatmir Metaj, pasi akuzohet për ‘shpërdorim detyre’. Gjithashtu Metaj është dënuar me 3 vite pezullim nga funksionet publike.

Në akuzën e ngritur nga prokuroria e Tiranës pas kallëzimit të disa qytetarëve Metaj u mor i pandehur për prishjen e katër objekteve, një prej tyre me leje ndërtimi dhe tre objekte në proces legalizimi. Objektet e prishura kanë qenë të ndërtuara në rrugën ‘Mihal Grameno’, përgjatë rrugës së Vaqarrit dhe në ish “Uzinën Enver”.

Sipas prokurorisë këto objekte nuk duhet të ishin prishur, pasi një prej tyre ishte i pajisur me leje dhe tre të tjerët në proces legalizimi çka pamundësonte zbatimin e procedurës së ndjekur nga IKMT për prishje.

Këto prishje janë realizuar përgjatë viteve 2013-2014 dhe sipas hetimeve të prokurorisë Fatmir Metaj dhe stafi i tij kanë vepruar në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Fatmir Metaj, ish kreu i komisariatit të Tropojës në vitin 1998, është një emër i lakuar edhe në vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari, pasi Partia Demokratike e akuzoi se automjeti me të cilin udhëtoi Famir Haklaj nga Tropoja drejt Tiranës ishte në pronësi të Metajt.

Po ashtu, ky i fundit u akuzua këtë verë nga Partia Demokratike për dhunë ndaj banorëve të Jalit dhe u përplas me deputetin Agron Shehaj më 18 shtator gjatë një aksioni për shembjen e disa banesave në bregdetin e Jonit.

“Metaj i shërben bandës së grabitësve të pronave të qytetarëve të udhëhequr nga Rama dhe Xhafaj. Një fije floku t’i preket deputetëve apo përfaqësuesve të opozitës, do mbash përgjegjësi me kokën tënde…”, shprehej asokohe Basha, duke iu drejtuar Ramës, pasi Metaj u përfshi në një përplasje gati fizike me deputetin Shehaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë