Gazeta Si – Që prej kësaj të marte (24 dhjetor), Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar për festat e fundvitit deri në datën 3 janar 2025.
Masat parashikojnë prezencë të shtuar të shërbimeve policore, kontroll të plotë të territorit, kontroll ndaj shtetasve me precedentë kriminalë, automjeteve të tyre dhe të ambienteve që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative, sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Për të eliminuar radhët e gjata në hyrje/dalje, janë marrë masa, janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
Po ashtu policia do të bashkëpunojë me homologët në pikat tokësore, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit.
Gjithashtu, është rritur kontrolli si në pikat e kontrollit kufitar, ashtu edhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
“Masa janë marrë edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve rrugore, duke shtuar monitorimet në të gjitha akset rrugore, me makina inteligjente, radarë automatikë, dronë inteligjentë, alkooltestues dhe me patrulla të lëvizshme me mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Për netët festive të Krishtlindjes dhe të ndërrimit të viteve, si dhe për ditët e para të vitit 2025, që përkojnë me pushime zyrtare, do të ketë rritje të prezencës policore në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve duke bashkëpunuar edhe me policitë bashkiake përkatëse”, – thuhet në një njoftim të Policisë së Shtetit.
Strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të sigurisë dhe rendit, në restorante, lokale dhe qendra tregtare, që kanë frekuentim të lartë qytetarësh.
Për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë shtuar shërbimet dhe patrullimet në afërsi të bankave, zyrave të këmbimit valutor, tregjeve dhe objekteve të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.