Gazeta Si – Shtatë protestues janë arrestuar nga policia në Tiranë dhe 21 deputetë janë proceduar penalisht në gjendje të lire për protestën e opozitës të hënën në mbrëmje, ku u bllokuan 5 akse rrugore.
Tubuesit kanë kundërshtuar forcërisht punonjësit e policisë në detyrë, si dhe nuk iu janë bindur urdhrave të tyre, për lirim të akseve rrugore.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit thotë se ka vënë në hetim 40 protestues, mes tyre 21 deputetë të opozitës për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
“U arrestuan në flagrancë shtetasit R. B., 27 vjeç, A. H., 21 vjeç, J. Ç., 27 vjeç, A. C., 25 vjeç, G. S., 55 vjeç, V. Gj., 59 vjeç dhe Ç. K., 31 vjeç, si dhe u proceduan penalisht, në gjendje të lirë, 21 shtetas, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, – thotë policia.
Mes personave të proceduar penalisht, janë dhe 21 deputetë të opozitës, ndërsa shumë të tjerë janë të proceduar në gjendje të lirë.
“U proceduan penalisht, në gjendje të lirë, shtetasit F. N., A. Q., Ç. Gj., I. K., A. M., Xh. M., T. A., A. P., E. E., L. H., I. K., S. J., A. K., A. V., O. B., F. H., A. U., P. D., A. Gj., E. H., L. M., R. L., G. S., D. M., Sh. M., A. M., A. M., A. K., A. A., M. G., A. H., T. B., A. P., G. B., L. B., F. M., L. G., S. K., E. Xh. dhe I. Zh., me detyra deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe/ose përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Partisë Republikane ose Partisë së Lirisë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, – shton policia në njoftim.
Protesta pati tensione, teksa në përleshje u përfshinë edhe deputetë si Flamur Noka që në një moment goditi një nga efektivët.
Ndërsa incident pati dhe në zonën e Pallatit me Shigjeta ku deputeti Gjekmarkaj u rrëzua në tokë dhe u transportua në spital.
Procedimet e policisë vijnë pas përplasjeve me uniformat blu si dhe bllokim të rrugëve duke penguar qarkullimin rrugor.
Opozita protestoi dje për 3 orë, nga ora 17:00 deri në 20:00, duke bllokuar kryqëzimet kryesore në kryeqytet.
Për herë të parë pas daljes nga arresti shtëpiak, në rrugë për mosbindjen civile doli edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.