Rend dhe Ligj

Akuzat e Berishës, reagon policia: Gjekmarkaj nuk u godit nga asnjë efektiv

Nga Gazeta ‘SI’ – Policia e Tiranës hedh poshtë akuzat e Sali Beirshës dhe Flamur Nokës se nënkryetari i Parlamentit Agron Gjekmarkaj është goditur prej disa efektivëve gjatë protestës së të hënës.

“Policia e Shtetit ka përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë”, thotë policia në një reagim për mediat. “Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta”.

Policia e Shtetit gjithashtu akuzoi Flamur Nokën për veprime të dhunshme. “Jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Policia e Tiranës ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit”, tha policia.

Sipas autoriteteve, bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë