Gazeta Si - Një 34-vjeçar, Darin Gëzdari dhe 41-vjeçarja Arlinda Markudhe, u ndaluan gjatë finalizimit të operacionit "Cost to cost" pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, pasi dyshohet se nëpërmjet një skeme mashtrimi arritën të transferojnë përgjatë dy viteve nga kompani guaskë jashtë vendit drejt një kompanie shqiptare rreth 11 milionë euro.
Në hetim kanë marrë pjesë Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Pastrimit të Parave pranë Policisë Tiranë dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare.
Gëzdari nga Tirana dhe Markudhe nga Lezha, dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Gjibraltar, Maltë, etj.
Këto para transferoheshin në shtetin shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyrë fiktive dhe më pas transferoheshin në shtetin kanadez.
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se një kompani guackë, ka shërbyer si katalizator për pastrimin e parave, duke lëshuar fatura fiktive dhe duke mos kryer asnjë shërbim apo aktivitet ligjor të shoqërive të huaja, ku shumica kanë aktivitet të kazinove dhe lojërave të fatit dhe më pas duke i transferuar në kompani jashtë Shqipërisë.
“I gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të produktit të veprës penale”, njoftoi prokuroria.
Nga hetimi i zhvilluar dhe provat e grumbulluara dyshohet se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë shtetas të tjerë shqiptarë e të huaj të lidhur me këtë aktivitet kriminal.
Një nga objektivat e regjistruara si aktivitete të kompanive të tyre, Darin Gëzdari dhe Arlinda Marku kishin të shënuar edhe shërbimin e “mbrojtjes nga mashtrimet financiare” për klientët e tyre.
Madje një prej kompanive, "IBS, Information Business System," rezulton se Gëzdari e ka blerë për 7,6 mln dollarë.
Teksa në disa prej kompanive rezulton se i krijonte, i shiste dhe më pas i blinte sërish dhe kjo dyshohet se është edhe skema e pastrimit të parave e zbuluar.
Kurse firmën "New Axis Solution", e dyshuara Marku e bleu nga një italian dhe e shiti më pas te Gëzdari. Në kompanitë e Gëzdarit, jepen detaje sqaruese për shërbimet sipas 7 kompanive që ai posedon, referuar edhe grafikut-foto.
Kompani me objekt konsulencën, marketingun, shërbimet ueb, internet, fushata reklamuese onsite dhe online, media sociale, mirëmbajtje dhe të tjera. Gjithashtu marketing dixhital, tregtim pajisjesh elektronike, teknologji kibernetike, kompjutera. Madje edhe konsulencë kundër rrezikut dhe mashtrimit të mundshëm dhe konsulencë për rritje biznesi. Një tjetër object ka qenë konsulenca për ndërtim, projektime, mirëmbajtje dhe telefoni.
Kompanitë e Darin Gëzdarit:
-Green View Marketing
-Hyper Drive Service
-Information Business System IBS
-News Axis Solution
-New Moon Services
-Red Ridge Marketing
-Tech Ground Service
Kurse Arlinda Marku, posedon 3 kompani në emër të saj, me objekt konsulencë biznesi dhe financiare, shit-blerje, dhënie me qira të makinave dhe mjeteve të tjera, marketing.
Gjithashtu reklama dhe marrëdhënie me publikun, promovim i eventeve, konsulencë ligjore dhe mbrojtje ndaj mashtrimeve të mundshme.
Kompanitë e Arlinda Markut:
-Multi Service Group
-International Business Consulting
-New Axis Solution
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.