Taksa

Malaj: Janë rimbursuar 88% e profesionistëve të lirë. Procesi vazhdon edhe në 2025

Nga Gazeta 'SI' - Ministri i Financave Petrit Malaj në diskutimet në seancën e sotme plenare tha se janë rimbursuar 7157 biznese të profesioneve të lira për këstet e parapagimit të tatimit apo 88% të tyre.

Pa u rimbursuar kanë mbetur edhe 980 biznese, pasi ende nuk kanë deklaruar llogaritë bankare. Ndërsa fshirja e detyrimeve të gjeneruara si këste paraprake është bërë për 19.468 tatimpagues.

Nga totali i 27.605 tatimpaguesve si ofrues të shërbimeve profesionale rezulton se 30% e tyre kanë parapaguar tatimin, ndërsa pjesës tjetër iu gjenerua si detyrim.

“Nga verifikimi i të dhënave rezultoi se ofrues të shërbimeve profesionale ishin në total 27,605 tatimpagues. Për një pjesë të tyre, detyrimi ishte kthimi i parapagimeve të gjeneruara, ndërsa për një pjesë do të duhej të fshiheshin detyrimet e gjeneruara si këste paraprake. Më konkretisht hapat e ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nga miratimi i aktit në qeveri deri tani janë: Për 19,468 tatimpagues – fshirja e detyrimeve të gjeneruara si këste paraprake; Për 8,137 tatimpagues – krijimi i procedurës së rimbursimit. Pas, evidentimit të tatimpaguesve, Administrata Tatimore ndërmori njoftimin publik, me qëllim që tatimpaguesit të bënin verifikimin dhe saktësimin e llogarive bankare të vetëdeklaruara në e-Filing, brenda datës 10 dhjetor 2024. Rezultoi se 1,809 tatimpagues nuk kishin një llogari të tillë në sistemin e Filing dhe për këtë kategori afati u shty deri në datë 18 dhjetor 2024. Po, në këtë datë 18 dhjetor), Administrata Tatimore mundësoi edhe kryerjen e rimbursimit të pagesave të kryera si këste paraprake për 7,157 tatimpagues. Procesi i rimbursimit të pagesave të kryera do të vijojë çdo ditë, për secilin prej 980 tatimpaguesve, që do të deklarojnë llogarite bankare”, sqaroi Malaj.

Ai tha se procesi do të vazhdojë edhe për vitin 2025.

Akti i qeverisë për zhbërjen e skemës së tatim-fitimit për profesionet e lira erdhi pasi Gjykata Kushtetuese gjykoi se ishte një masë joporporcionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë