Nga Gazeta ‘Si’ - Deklarata e kreut të PD Sali Berisha se “dyert duhet të hapen” lidhur me propozimin e tij për heqjen e mesatareve për pranimin në universitet shihet me shqetësim nga Qëndresa Qytetare.
Rigels Xhemollari, një nga drejtuesit e saj thotë për Gazetasi.al se heqja e mesatareve do të dekurajonte studentët e ekselencës dhe do të rrezikonte zhbërjen e sistemit të meritokracisë dhe vlerësimit nëpër gjimnaze.
“Më vjen shumë keq që politika artikulon në këtë formë duke thënë që dyert duhet të hapen. Kjo, do të ndikonte në uljen e cilësisë së universiteteve”, deklaron ai ndërsa shton se argumenti që universitetet ‘janë të etur’ për studentët është i paqenësishëm.
Sipas tij, universitetet janë të etur tipikisht për degët që prodhojnë emigracion, gjë që do ndikonte më shumë në largimin e të rinjve nga vendi.
“Studentët në Shqipëri nuk kanë nevojë për heqjen e mesatares dhe arsimi ka nevojë për masa të tjera të domosdoshme si përshtatja e degëve me tregun e punës, modernizimi i kurrikulave apo digjitalizimi.”
Xhemollari shton se në një kohë kur sipas tij, universitetet publike nuk kanë mekanizma kontrolli për cilësinë, mesatarja nëpër gjimnaze nuk tregon domosdoshmërisht atë nivel që ka studenti.
“Gjykoj që heqja e mesatares duhet të zëvendësohet me konkurse në universitete. Universitet shqiptare nuk janë aq liberalë sa për të pranuar studentë pa asnjëlloj mesatareje.
Kjo masë thjesht do të mbushte degët ndërsa zëvendësimi i saj me konkurs do të përqëndronte dijet e tyre aty ku studentët kanë interes”.
Ndërsa shpesh opozita ka artikuluar se është mesatarja ajo që ka rrezikuar mbylljen e disa degëve studimi këto vite, Xhemollari thotë për Gazetasi.al se për të, liberalizimi dhe ulja e cilësisë së arsimit në thelb kanë efekte më negative se sa mbyllja e disa degëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.