Nga Gazeta Si - Gjatë periudhës 29 nëntor - 11 dhjetor 2024, sistemi europian i sigurisë ushqimore RASFF ka raportuar tre raste të ndotjes me mbetje të pesticideve Chlorpyrifos dhe Phosmet në ngarkesa mandarinash me origjinë nga Shqipëria.
Tre ngarkesat janë identifikuar në Kroaci dhe, sipas verifikimeve, mandarinat përmbajnë mbetje të larta të pesticideve Chlorpyrifos-ethyl dhe Phosmet.
Këto substanca janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara në Bashkimin Europian për shkak të dëmeve të tyre afatgjata.
DETAJET NGA RAPORTET RASFF:
29 nëntor 2024 - Chlorpyrifos në mandarina. Ngarkesa është zbuluar në Kroaci.
11 dhjetor 2024 - Phosmet në mandarina. Ngarkesa është identifikuar në Kroaci.
11 dhjetor 2024 - Chlorpyrifos në mandarina. Ngarkesa është raportuar nga Kroacia me ndalesë të mëtejshme në Itali dhe Republikën Çeke.
“Të gjitha këto raste janë EC-validated, që do të thotë se janë verifikuar si të sakta dhe përmbajnë mbetje të larta të këtyre pesticideve”, thotë Ervin Resuli, ekspert i blegtorisë.
Çfarë është Chlorpyrifos?
Chlorpyrifos-ethyl është një pesticid që ndikon në zhvillimin e trurit tek fëmijët, veçanërisht në fazat e hershme të jetës, shkakton dëmtime të sistemit nervor dhe çrregullime të sistemit endokrin.
Gjithashtu edhe rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer.
Resuli shpjegon se Chlorpyrifos është ndaluar plotësisht në BE për përdorim dhe tregtim me Rregulloren Implementuese të Komisionit 2020/18/BE, datë 10 janar 2020, e cila hyri në fuqi më 16 shkurt 2020.
“Në Shqipëri, ndalimi i përdorimit të tij është bërë me Urdhrin e Ministrit Nr. 26, datë 22.1.2020, ku përcaktohet që: Të kryhet çregjistrimi i produkteve të mbrojtjes së bimëve që përmbajnë Chlorpyrifos brenda datës 16 shkurt 2020".
Por çfarë ndodh në Shqipëri?
Resuli tregon se ndërkohë që legjislacioni shqiptar është harmonizuar me atë të BE-së, realiteti në terren tregon një mungesë totale të mbikëqyrjes dhe transparencës.
“Ngarkesat e bllokuara nga BE tregojnë se këto pesticide ende qarkullojnë dhe përdoren në vend. Ministria e Bujqësisë nuk ka bërë publik asnjë njoftim nëse këto produkte janë konsumuar në tregun vendas apo janë asgjësuar sipas ligjit. Tregtarët dhe fermerët vazhdojnë të përdorin produkte të ndaluara, duke rrezikuar shëndetin publik dhe reputacionin e eksporteve shqiptare”, thotë Resuli, duke ngritur edhe shqetësimin se nuk dihet nëse produktet janë bllokuar dhe groposur, apo kanë përfunduar në tavolinat e qytetarëve shqiptarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.